Fëmija katër vjeç nga Peja, Bleron Maraj, po përballet me disa sëmundje në të njëjtën kohë. Diagnozë të saktë për gjendjen e tij ende nuk ka. Mjekët në Kosovë i kanë dhënë mendime të ndryshme dhe prindërit po synojnë dërgimin e tij në Turqi për të gjetur shkaktarin.
Nga muaji gusht i vitit të kaluar, mjekët e klinikës së Pediatrisë në QKUK kanë zbuluar se djalin ka vrimë në zemër. Por sipas babait, kjo gjë nuk ka qenë shumë shqetësuese për ta.
“Vjet më kanë than hajt se i hjeket. Njëjtë po më thonë edhe sivjet, por djali po shkon veç teposhtë ”, ka deklaruar babai Astrit Maraj, shkruan Gazeta Shneta.
Përveç vrimës në zemër, ai thotë se djali ka probleme me një valvulë, ka diabet, epilepsi dhe tash janë zbuluar edhe tri pika në kokë 7 milimetra të mbushura me ujë.
Astriti tregon se në Spitalin e Pejës mjekët kishin mohuar se djali ka epilepsi, por të kundërtën e ka zbuluar një spital në Tiranë.
“Në Pejë më kanë thanë se nuk ka epilepsi, ndërsa në Tiranë e kanë zbuluar se ka epilepsi rolandike”, ka thënë ai.
Babai i Bleronit thotë se mjekët në Kosovë po i japin mendime të ndryshme dhe kjo ka bërë që ai të kërkojë diagnozën në Turqi.
Ai po synon t’i mbledh paratë për udhëtim si dhe 2100 euro për analiza në një spital atje.
“Ministria po kërkon nënshkrimin e mjekëve, por ata po më thonë secili ndryshe. Tani kam marr çmimin në një spital në Turqi të cilët më kanë kërkuar 2100 euro vetëm për diagnozë”, ka shtuar Astriti.
Pasi ta marr diagnozën, babait sërish do t’i duhet të kërkojë para varësisht nga kostoja e shërimit.
Familja Maraj poashtu përballet me gjendje të rëndë sociale. Ata banojnë në një shtëpi me qira, të cilën ia kanë paguar njerëzit e vullnetit të mirë.
Astriti është i shqetësuar pasi qiraja e paguar përfundon më datën 27 të këtij muaji dhe për këtë nuk e di se si do t’ia bëjë zgjidhjen.
Kushdo që është i interesuar ta ndihmojë këtë familje, mund ta kontaktoni në këtë numër: 049 291 108. /Gazeta Shneta/