Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ) në Prishtinë, ka zhvilluar aksione për dhurimin vullnetar të gjakut në dy institucione: në Administratën Tatimore të Kosovës dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në Obiliq.
QKKTGJ ka falënderuar të gjithë punonjësit që iu përgjigjën thirrjes për dhurim të gjakut, duke treguar solidaritet dhe ndjeshmëri ndaj pacientëve në nevojë.
“Një falënderim i veçantë shkon për organizatorët dhe mikpritësit për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë realizimit të këtyre aksioneve”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, disa prej dhuruesve vullnetarë realizuan dhurimin e gjakut në Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut në Prishtinë, duke dëshmuar ndërgjegjen dhe humanizmin e tyre në përkrahje të jetës./Gazeta Shneta/




