Dhimbja kronike prek miliona njerëz dhe studimet e mëparshme kanë treguar se ajo lidhet me plakje më të shpejtë të trurit. Megjithatë, një studim i ri nga Universiteti i Floridës sugjeron se zakonet e shëndetshme të jetesës mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trurit, edhe tek personat që jetojnë me dhimbje të vazhdueshme.
Në këtë studim, i publikuar në “Brain Communications”, studiuesit analizuan “moshën e trurit”, e cila matet përmes skanimeve MRI dhe tregon sa i “vjetër” duket truri krahasuar me moshën reale të individit. Të dhënat u morën nga mbi 100 të rritur të moshës 45–85 vjeç, të ndjekur për një periudhë dyvjeçare, shumë prej të cilëve kishin dhimbje kronike, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se personat që ndiqnin zakone më të shëndetshme kishin një moshë truri më të re. Në disa raste, truri i tyre dukej deri në 8 vite më i ri sesa mosha kronologjike. Kjo ishte e vërtetë edhe për ata me nivele të larta dhimbjeje kronike, duke sugjeruar se stili i jetesës mund të zbusë efektet negative të dhimbjes në plakjen e trurit.
Dhimbja kronike bëhet më e zakonshme me moshën, shpesh për shkak të sëmundjeve si osteoartriti dhe degjenerimi i disqeve të shtyllës kurrizore. Sipas CDC-së, në vitin 2023 rreth 24.3% e të rriturve amerikanë raportuan dhimbje kronike, ndërsa 8.5% thanë se ajo ndikonte drejtpërdrejt në jetën dhe punën e tyre.
Studiuesit vlerësuan ashpërsinë e dhimbjes sipas shpeshtësisë, intensitetit, kohëzgjatjes dhe numrit të zonave të prekura.
Gjithashtu, analizuan zakone dhe faktorë psikologjikë si përdorimi i duhanit, perimetri i belit, cilësia e gjumit, stresi dhe optimizmi. Nga këto u krijua një “rezultat mbrojtës”, ku individët me stil jetese më të shëndetshëm dhe mirëqenie emocionale më të fortë kishin rezultate më të larta dhe tru më “të ri”.
Ky studim përçon një mesazh inkurajues: edhe në prani të dhimbjes kronike, zakonet e shëndetshme mund të luajnë një rol kyç në ruajtjen e shëndetit të trurit me kalimin e moshës. /Gazeta Shneta/


