Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka deklaruar sot gjatë seancës së Kuvendit, se sigurimi shëndetësor duhet të konsiderohet si prioritet kombëtar.
Ismaili ka thënë se politikanët janë të privilegjuar për shkak të të hyrave të larta, por shërbimet shëndetësore janë duke i varfëruar qytetarët.
“Ne jemi më të privilegjuar sepse kemi të hyra më të mëdha. Por ka një pjesë të popullatës që marrja e shërbimeve shëndetësore, i kthen në kufirin e varfërisë. Kjo është vërtetuar nga Banka Botërore. Prandaj këtë duhet ta kemi prioritet kombëtar”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka bërë të ditur se është filluar një ridizajnim me Bankën Botërore, që do të jap një ndihmesë departamenteve të caktuara për Sigurimin Shëndetësorë, si dhe do të rekrutohet staf profesional.
Ismaili ka deklaruar se ka trashëguar ministrinë në gjendje mjaft të vështirë dhe se shëndetësia është sektori më i nënfinancuar në rajon.
“Kemi më së paku mjek për kokë banori. Kemi infrastrukturë që nuk është investuar me vite dhe qytetarët kërkojnë shërbime në gjendje të mjerueshme për shkak të materialit që mjekët e pranojnë, barnat nga lista esenciale apo pajisjve që i kanë. Zotohem se kjo nuk do të qëndrojë gjatë kështu”, ka thënë ai. /Gazeta Shneta/