Ndonëse është i listuar në listën më kredibile të revistave dhe botuesve grabitqar ‘Beall’s’, Mirko Spiroski mohon se revista e tij OAMJMS është e dyshimtë
Botuesi i revistës maqedonase “Open Access Macedonian Journal of Medical Sciences”, Mirko Spiroski ka reaguar ndaj Gazetës Shneta në lidhje me serinë e shkrimeve për revistat e dyshimta, ose tashmë të njohura si “revistat e gjysheve”.
Duke mos e njohur gjuhën shqipe, Spiroski thotë se ka shfrytëzuar ‘google translate’ për ta lexuar shkrimin e botuar në Gazeta Shneta. Ai thotë se revista “Macedonian Journal of Medical Sciences (MJMS) është themeluar në vitin 2008. Ndërsa në vitin 2013 e njëjta revistë ka vazhduar nën emrin “Open Access Macedonian Journal of Medical Sciences (OAMJMS). Kjo revistë ndonëse ka ndryshuar emër, shtëpia botuese mbetet po e njëjta, “ID Design Press”.
Spiroski i rendit disa arsye pse sipas tij revista OAMJMS nuk është predatore ose grabitqare. Ai thotë se kjo revistë është e listuar në DOAJ, PubMed, ndërsa ka qenë edhe në Scopus. Në këtë të fundit ajo ka qenë e listuar nga viti 2014-2017 me faktor impakti sipas CiteScore 0.37.
Por shtëpia botuese e Spiroskit e cila e boton revistën OAMJMS, “ID Design Press” është e listuar në listën më kredibile për revistat ose shtëpitë botuese të dyshimta ose grabitqare, ‘Beall’s’.
Spiroski këtë e arsyeton duke thënë se shtëpia e tij botuese është poashtu bashkëpunëtore me disa shtëpi botuese tjera.
“Duke qenë se ID Design Press bashkë-publikon disa revista, duke përfshirë OAMJMS, shumë kolegë janë hutuar dhe nuk kanë mundur ta bëjnë dallimin e cilësisë së revistave (OAMJMS në këtë rast) dhe bashkë-botuesit. Për këtë arsye kemi kërkuar nga administratorët e ‘beallslist’ që të vendos një shënim ku tregohet se OAMJMS është e indeksuar në DOAJ”, ka shkruar Spiroski në letrën e tij dërguar Gazetës.
Ai vazhdon tutje të insistojë se revista e tij nuk është grabitqare, ndonëse ai vet është i listuar si i tillë.
Kujtojmë se kjo revistë refuzon vetëm 40 për qind të punimeve shkencore, çka revistat kredibile kanë shkallën e refuzimit deri në 90 për qind.
Krejt në fund Spiroski qon fjalë të mira dhe lëvdata për autorët nga Kosova, duke i lartësuar edhe me epitetin shkencëtar.
“Jemi shumë krenar që një numër i theksuar i shkencëtarëve nga Kosova kanë vendosur që të publikojnë punën e tyre në OAMJMS, duke ngritur kështu impaktin e autorëve dhe institucioneve të Kosovës”, ka shkruar Spiroski.
Krejt në fund ai inkurajon autorët e Kosovës që të vazhdojnë të dërgojnë punimet e tyre në OAMJMS. Kjo sipas tij do të forcojë vlerat shkencore të Kosovës.
Por tashmë kanë filluar tërheqjet e punimeve nga kjo revistë. Ka qenë profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci ajo që ka deklaruar se do ta tërheq punimin e saj nga revista OAMJMS, pasi është njoftuar në shkrimin e Gazetës Shneta se shtëpia botuese është e listuar si grabitqare.
Latifi-Pupovci madje ka bërë thirrje që UP të rivlerësojë punimet e autorëve në këto revista, për konkursin që pritet të shpallet këto ditë. /Gazeta Shneta/