OSHP ka anuluar përfundimisht tenderin për Salbutamol në Ministrinë e Shëndetësisë. Vendimi për anulim vjen pas urdhëresës për zbatimin e të njëjtës kontratë. Tani OSHP ka arsyetuar se çmimi i operatorit “ICN&BM” ka qenë shumë i lartë. Kontrata ishte nënshkruar nga menaxheri i Prokurimit Berat Marmullaku, pa raport të vlerësimit dhe e njëjta do ta dëmtonte buxhetin e shtetit për qindra mijëra euro
Një tender që do ta dëmtonte buxhetin e shtetit me qindra mijëra euro është anuluar përfundimisht nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Kontrata për furnizim me medikamentin “Salbutamol Plv për inhalim 100 MCG/ dozë 200”, e cila i kushtonte buxhetit të shtetit me mbi 488 mijë euro, ishte nënshkruar nga menaxheri i Prokurimit Berat Marmullaku më 11 tetor të vitit të kaluar. Kjo kontratë ishte nënshkruar pa raport të vlerësimit, i cili nuk ishte aprovuar nga ish-menaxheri i Prokurimit, Alban Pozhegu.
E njëjta kontratë ishte rekomanduar nga Marmullaku për nënshkrim tek ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, por pas refuzimit për nënshkrim kontrata është anuluar më datën 21 mars 2018. Kundër këtij vendimi ishte ankuar operatori fitues “ICN & BM”, për çka OSHP kishte nxjerrë një urdhëresë ndaj MSH-së për zbatimin e njoftimit të dhënies së kontratës në muajin mars. MSH sërish kishte refuzuar duke u arsyetuar se çmimi i ofruar nga operatori është shumëfish më i lartë se sa çmimi referent dhe ai i tregut, shkruan Gazeta Shneta.
Saga më shumë se 2 vjeçare për këtë tender ka përfunduar të martën kur OSHP përkundër urdhëresës për zbatimin e kontratës, i ka dhënë të drejtë MSH-së për anulimin e tenderit për shkak të çmimit. Menaxheri i Prokurimit, Berat Marmullaku, i cili e kishte nënshkruar dhënien e kontratës, të martën ka dhënë argumente kundër vendimit të tij që e kishte marr disa muaj më herët e cili do ta dëmtonte buxhetin për qindra mijëra euro.
“Ne si AK nuk pajtohemi me ekspertizën e ekspertit për lot 32 të këtij aktiviteti të prokurimit. Arsyeja kryesore ka të bëjë me çmimin e ofruar që konsiderojmë se është më i lart se çmimi real i tregut”, ka deklaruar Marmullaku gjatë seancës.
Në vendimin e OSHP-së thuhet se “Një ndër arsyet e anulimit të dhënies së kontratës dhe anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit ka qenë edhe mos nënshkrimi i raportit të vlerësimit nga ana e ish Menaxherit të Prokurimit Alban Pozhegu, ndërsa ishte proceduar dhe ishte bërë njoftimi për dhënie të kontratës më datë 11.10.2017, ku ishte rekomanduar për kontratë ‘NTP ICN & BM’”.
“Paneli shqyrtues, duke u bazuar në të gjitha dëshmitë që ka pasur në dispozicion, sqaron se kontrata në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit është nënshkruar nga ish UD menaxheri i Prokurimit Berat Marmullaku me datë 14.11.2017, ndërsa me datë 11.11.2017 është deleguar për nënshkrim tek zyrtari kryesor administrativ dhe ministri, por të cilët nuk kanë ndërmarr veprime për nënshkrimin e kësaj kontrate”, thuhet tutje në vendimin e OSHP-së.
Ndonëse ministri Uran Ismaili kishte refuzuar nënshkrimin e kësaj kontrate të rekomanduar nga Marmullaku, të njëjtin e ka emëruar sërish në pozitën e Menaxherit të Prokurimit pas ardhjes së tij si ministër i Shëndetësisë.
Vendimi për anulimin e këtij tenderi nga OSHP është marrë pas raportit të Inspektoratit Farmaceutik për çmimin e Salbutamolit në depot farmaceutike dhe barnatore. Çmimi referent për këtë produkt është 1.88 euro, në depo varion nga 2 euro deri në 3.10 euro, ndërsa shitet në barnatore nga 2.50 euro deri në 3.80 euro. Derisa çmimi i ofruar nga operatori “ICN & BM” ka qenë 4.50 euro.
Për kontratë ka dhënë interpretim ligjor edhe KRPP e cila ka konstatuar se për të qenë një kontratë e zbatueshme duhet të nënshkruhet edhe nga Ministri i ministrisë përkatëse. Poashtu ka sqaruar se lidhja e një kontrate të dëmshme “konfirmon aktivitete abuzive të kundërligjshme dhe të papranueshme”. /Gazeta Shneta/