Fëmijët në Kosovë vazhdojnë të mbesin viktima të dhunës në familje, shkolla apo edhe në rrugë. Dhuna në familje ishte shkaku që para pak ditësh vdiq një fëmijë 14-vjeçar pasi u rrah nga babai i tij.
Arbnora Kllokoqi nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka thënë për REL se i kanë dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ku kërkohet që të bëhet aprovimi sa më parë i projektligjit për mbrojtjen e fëmijëve si dhe parashikimit dhe ndarjes së buxhetit të nevojshëm.
“Fëmijët në Kosovë po ballafaqohen me situata mjaft të vështira, ku po kanoset edhe siguria e tyre. Për pasojë kemi edhe rastet me fatalitet. Rasti i fundit që ka ndodhur në Kosovë është dhuna deri në vdekje, që kanë tronditur gjithë opinionin. Këto raste duhet nënkuptojnë alarm për Qeverinë dhe institucionet, familjet dhe gjithë shoqërinë. Për më tepër rreth 61.4 për qind e fëmijëve në Kosovë deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kanë pësuar nga dhuna psikologjike apo fizike”.
“Duke u nisur nga ky fakt Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF përmes një letre të hapur ka kërkuar edhe nga kryeministri që të rris vëmendjen ndaj këtyre ngjarjeve dhe sigurisë së fëmijëve dhe në të njëjtën kohë të adresojë me prioritet absolut sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, në kuadër të qeverisjes së tij”, theksoi Kllokoqi.