Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë e ka mbyllur ordinancën e gjinekologut turk Ahmet Payasli.
Kjo është konfirmuar për Gazeta Shneta nga Kryeinspektorja Dr. Ardita Baraku. Ajo ka thënë se ordinanca është mbyllur pasi është konstatuar se nuk i ka plotësuar kushtet e stafit mjekësor.
“Sipas Udhëzimit Administrativ 9/2014, ordinanca duhet të ketë së paku një gjinekolog dhe një infermiere. Ne kemi konstatuar se në ‘Klinikën Dr. Payasli’ mjeku vendor ka pushuar veprimtarinë në këtë ordinancë dhe si rezultat kemi vendosur mbylljen e saj”, ka deklaruar Baraku.
Mbyllja e “Klinikës Dr. Payasli” vjen pasi ISH fillimisht e kishte zënë gjinekologun turk duke punuar pa licencë, për çka ordinanca është dënuar edhe me 8 mijë euro gjobë. Për veprimtarinë e jashtëligjshme të Ahmet Payaslit është njoftuar edhe Prokuroria e cila është duke hetuar atë që nga viti i kaluar pas bastisjes së Administratës Tatimore të Kosovës për shmangie tatimi. /Gazeta Shneta/