Të hënën do të merret vendimi për Drejtorin e Urologjisë në QKUK, Rexhep Kasumaj, i cili u arrestua ditën e djeshmë për marrjen e ryshfetit, njofton kështu Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm Spitalor.
“Ju konfirmojmë se SHSKUK është informuar lidhur me arrestimin dhe te hënën do te ndërmerren masa si i parasheh ligji punës”, thuhet në përgjigjen e tyre drejtuar IndeksOnline.
E, në bazë të disa raportimeve dyshohet se Drejtori i Urologjisë i ka kërkuar një pacienti një shumë prej 100 eurove për t’u operuar pa rend. Sipas të gjitha gjasave Kasumaj do të suspendohet nga posti i tij.
Pëderisa, Policia e Kosovës ka lëshuar ditën e djeshmë njoftimin zyrtar lidhur me arrestimin e Kasumaj:
“Si rezultat i veprimeve të shpejta të hetuesve policorë, është arrestuar në flagrancë i dyshuari M/Sh/K, i cili dyshohet se nga një qytetar ka marrë para për t’i kryer shërbime mjekësore. Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar paratë, kishte njoftuar policia.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.