Pamundësia që të gjitha çmimet të jenë unike si dhe numri i vogël i barnave të regjistruara, shihen disa nga arsyet kryesore që po ndikojnë në kontrabandimin e barnave në vendin tonë.
Ndërkaq, kontrabandimi i barnave është relativisht i lehtë për shkak të sasisë së tyre të vogël, të cilat kanë vlerë të madhe dhe kjo mbetet shkaku kryesor që kontrabanduesit të përfitojnë.
Për Radio Evropa e Lirë, kryetarja e Shoqatës së Farmacistëve ka thënë se Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale duhet të lehtësoj procedurat për regjistrimin e barnave, në mënyrë që të ketë sa më pak raste të kontrabandimit.
“Ne si shoqatë farmaceutike e dënojmë kontrabandimin pasi vijnë nga rrugë të ndryshme. Në bazë të informatave që kemi, ka rënie të kontrabandës, por gjithmonë ka hyrje ilegale të tyre. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet relevante, që të ndalet kontrabanda”, ka thënë ajo.
Ajo shpjegon se në vendin tonë është duke u punuar që të ketë unifikim të çmimeve rreth barnave, derisa ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se Udhëzimi Administrativ që rregullon çmimet e barnave, është në prag të unifikimit të çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore në sektorin farmaceutik.
Ai parasheh uljen e çmimeve, rrit konkurrencën, zvogëlon shpenzimet si dhe përcakton çmimin fiks për produktet medicinale, të cilat do të jenë pjesë e listës së produkteve esenciale jashtë spitalore./RadioEvropaeLirë/