Rreth 52 milionë euro do të investohen për aparatura në QKUK dhe shtatë spitalet e përgjithshme në pesë vitet e ardhshme. Ky investim do të bëhet nëpërmjet një kredie të Bankës Evropiane për Investim.
Kështu është bërë e ditur sot gjatë prezantimit të studimit të fizibilitetit të realizuar nga organizata ‘Ëestern Balkan Investment Frameëork’. Ky studim ka shfaqur nevojën e madhe për investime në aparatura të reja për Qendrën Klinike Universitare, si dhe shtatë spitalet e përgjithme në Kosovë.
Dy prezantuesit e studimit, Carlos Cisneros dhe Andreas Mezey, kanë konstatuar se gjendja e aparaturave në spitalet universitare është e rëndë. Gjetjet kryesore të studimit janë se në shumë fusha të mjekësisë trajtohen numër i vogël i rasteve. “Gjendje e varfër në aspektin e pajisjeve medicinale dhe infrastrukturore”, thuhet në gjetjet e studimit.
Ndërkaq në rekomandimet e studimet propozohet që të krijohen qendra të specializuara në spitalet e përgjithshme, ndërkaq Spitali i Prizrenit të shndërrohet në Qendër Universitare sikurse ajo në Prishtinë.
Përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Investim, Konstantinos Mastrogiannopoulos, ka thënë se janë të kënaqur me investimin që do të bëhet në shëndetësinë kosovare, pasi janë të vetëdijshëm për nevojën e madhe që ka ky sektor.
“Mbështetja e këtij projekti është një indikator për përkrahjen e madhe të BE-së ndaj Kosovës. Banka Evropiane është e gatshme për ta mbështetur këtë projekt dhe jemi të lumtur që po përkrahim projekte në sektorin e shëndetësisë i cili ka shumë nevojë”, ka deklaruar ai.
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka thënë se Kosova ka trashëguar një shëndetësi të rrënuar me aparatura të vjetëruara dhe të cilët nuk funksionojnë.
“Në mungesë të pajisjeve profesionistëve shëndetësore, për kundër përgatitjes së tyre profesionale, shpesh herë nuk kanë arritur që t’iu japin shërbimet e nevojshme pacientë. Këta të fundit janë detyruar që të dalin jashtë me shpenzimet e tyre familjare”, ka thënë Ismaili.
Ai ka përmendur edhe Klinikën e Gastroenterologjisë e cila për dy vite nuk ka shërbyer pacientët me gastroskop në mungesë të kësaj pajisje. Projekti për marrjen e kredisë 50 milionëshe ka nisur para disa vitesh. /Gazeta Shneta/