Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka mohuar mungesën e medikamentit Fentanyl, e rrjedhimisht edhe anulimin e operacioneve në klinika.
Zyrtarët e QKUK-së në njërën anë deklarojnë se nuk ka mungesë të barit, ndërsa në anën tjetër thonë se do të furnizohen nga dita e hënë.
“Jo njoftojmë se asnjë nga sallat operative nuk ka rënë nga programi dhe është punuar dhe po punohet normalisht. SHSKUK ka lidhur kontratë të rregullt për furnizim me fentanyl dhe presim që ditën e hënë të bëhet furnizimi në sasi për gjysmë viti kalendarik”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka mësuar nga burime të sigurta zyrtare brenda dy klinikave të QKUK-së se programi për operacione elektive është anuluar në tërësi për ditën e sotme.
Kjo është hera e tretë brenda disa muajsh që anulohen operacionet për shkak të mungesës së Fentanylit. Herën e fundit ka ndodhur në muajin mars të këtij viti. QKUK ishte furnizuar përkohësisht nga Spitali i Vushtrrisë me Fentanyl. /Gazeta Shneta/