Redaksia e Gazetës Shneta është e detyruar të jap një sqarim për lexuesit pas një kumtuese kërcënuese dhe me plot manipulime nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
Pasi manipuloi me infermierët eminent derisa erdhi në krye të Odës së Infermierëve dhe të njëjtit pastaj i la jashtë organeve të OIK-ut duke sjellë njerëz që punojnë në interes dhe me direktiva të tij, Naser Rrustemi po manipulon edhe me opinionin.
Fillimisht dëshirojmë të sqarojmë infermierët se Gazeta Shneta ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet në Odën e Infermierëve, qofshin ato pozitive apo negative. Gazeta ka qëndruar afër OIK-ut që nga mbajtja e zgjedhjeve këtë vit, si dhe pas funksionalizimit duke publikuar lajme për aktivitetet dhe veprimtarinë e këtij institucioni.
Por zhvillimet kanë marrë kahje tjetër pasi OIK ka filluar ndërtimin e organeve, kur u përjashtuan infermierët që kanë kontribuuar me vite në të mirë të komunitetit, dhe duke vënë në krye të organeve njerëz që punojnë sipas direktivave dhe në interes të një grupi të ngushtë të njerëzve që vijnë nga QKUK dhe Ministria e Shëndetësisë.
Gazeta Shneta ka trajtuar disa tema në lidhje me veprimtarinë e OIK-ut, ku kemi pas informacione lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimet që janë bërë me buxhetin në kurriz të infermierëve. Këto raportime janë të gjitha të bazuara si dhe të dokumentuara me anë të dëshmitarëve që janë pjesë e OIK ose kanë përcjellë nga afër punën e udhëheqësve të këtij institucioni.
Pasi mashtruan për pagën e tij me një dokument të vitit 2018, dhe nuk lejuan qasje në dokumentin zyrtar të vitit 2019, tani po vazhdojnë të kërcënojnë me padi në gjykatë, gjë të cilën ne si redaksi do ta mirëpresim pasi organet e rendit do ta vërtetojnë mashtrimin që kanë bërë.
Për fat të keq një grup i ngushtë njerëzish kanë ngulfatur Odën e Infermierëve të Kosovës për shkak të interesave personale pasi ky institucion tanimë ka grumbulluar buxhet qindra mijëra eurosh nga infermierët. Në OIK dyshohet se janë punësuar njerëz të afërt të udhëheqësve, zyrtar të Qendrës Klinike Universitare si dhe Ministrisë së Shëndetësisë, janë marr zyre me qira që dyshohet se janë në pronësi të familjarëve të tyre, janë blerë vetura luksoze dhjetëra mijëra euroshe, ndërsa janë larguar infermierë të cilët kanë kontribuuar me vite në të mirë të kësaj kategorie.
Së fundmi këta njerëz kanë formuar një këshill të ashtuquajtur nacional, i cili kryesohet nga rektorja e Kolegjit Heimerer Natyra Karahoda, ndërsa anëtarë janë po këta njerëz që udhëheqin odën dhe ligjërojnë në Kolegjin AAB, Naser Rrustemi, Hysni Bajrami, Idriz Sopjani, Lirije Beqiri, etj. Me anë të këtij këshilli po synojnë të përcaktojnë koeficientin sipas shkollimit, në mënyrë që t’i detyrojnë infermierët të regjistrojnë fakultetin e infermierisë në njërin nga kolegjet. Për këto manipulime kanë reaguar ashpër edhe dy sindikata.
Ne i bëjmë thirrje Odës së Infermierëve që të ndal kërcënimet ndaj redaksisë sonë, pasi nuk do të mund të pengojë raportimet tona kur dëmtohet interesi i infermierëve. I kujtojmë udhëheqësve të OIK-ut se kanë përgjegjësi ndaj infermierëve pasi deri më tani nuk kanë zhvilluar asnjë Kuvend dhe asnjë mbledhje të organeve mbikëqyrëse.
Po ashtu i ftojmë infermierët që të ngritin zërin për interesat e tyre si dhe të raportojnë keqpërdorimet në adresën tonë sepse Gazeta Shneta do të jetë partner i fuqishëm i tyre për të ndaluar abuzimet.