Kryetari i Odës së Mjekëve të Malit të Zi, kardiokirurgu Aleksandar Mugosa, ka mbajtur një ligjëratë në Kongresin dhe Panairin Mjekësor të organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Mugosa ka folur për historinë dhe zhvillimin e Qendrës për Kirurgji Kardiake në Malin e Zi, që nga themelimi në vitin 2000 e deri më sot
Mugosa ka treguar se ideja për themelimin e kardiokirurgjisë ka nisur në vitin 2000. Kjo ide ishte shtruar edhe nga disa politikanë, që sipas tij dëshironin të bëheshin super yje dhe të jepnin premtime, shkruan Gazeta Shneta.
“Natyrisht këta njerëz ishin të interesuar vetëm për profit. Politikanët nuk e kuptojnë kompleksitetin e punës sonë, ata na vërejnë dhe na shohin vetëm kur e konsiderojnë me rëndësi, përndryshe na harrojnë”, ka deklaruar Mugosa.
Ai ka treguar se dy kardiokirurgët e parë janë trajnuar në Itali për 24 muaj. Pesë kardiologë janë edukuar poashtu për disa muaj për kirurgji kardiake. Tre kardioanesteziologë poashtu kanë kryer trajnime në Itali. 30 teknikë, shumica prej të cilëve kanë pasur përvojë me pacientë, poashtu janë trajnuar në Itali.
“Tani tre prej nesh kryejmë 450-500 operacione në zemër të hapur brenda një viti dhe mbulojmë të gjithë patologjinë e kirurgjisë kardiake”, ka thënë Mugosa.
Projekti ka filluar në vitin 2000 në bashkëpunim me Regjionin Abruzzo të Italisë. Operacioni i parë është kryer tre vjet më vonë, ndërsa në pesë vitet e para ishin realizuar rreth 150 operacione në vit.
“Aktualisht kryejmë deri 500 operacione në zemër të hapur në vit dhe mbulojmë poashtu patologji të kirurgjisë kardiake. Ne nuk udhëzojmë pacientët tanë që të shkojnë për shërim jashtë vendit. Tani kemi edhe kardiokirurg të ri të cilët po përgatiten”, ka thënë Mugosa gjatë ligjëratës së tij. /Gazeta Shneta/