Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale Dr. Saudin Maliqi po dyshohet se ka sulmuar fizikisht një paciente të tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në parkingun e spitalit privat ‘Euromed’.
Pacientja e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës si sulm fizik nga mjeku Maliqi, duke pretenduar se e ka goditur me derën e veturës. Pacientja ka marr edhe ndihmë mjekësore gjatë qëndrimit në stacionin policor në Fushë Kosovë.
Sinjali raporton me burime nga stacioni policor se viktima është ankuar për dhimbje në gji të shkaktuara nga goditja me derën e veturës. Sipas burimeve pacientja më herët kishte kryer një rezonancë magnetike të gjirit. Rasti i saj është regjistruar si “ushtrim dhune”.
Maliqi është intervistuar edhe nga Policia e Kosovës, ndërsa për media ka mohuar se ka sulmuar pacienten. “Jo, jo nuk është e vërtetë. Unë e kam dhënë dëshminë time edhe ajo të vetën. Nuk është e vërtetë që e kam sulmu, as hiç. Kurrgjë nuk ka të vërtete nga ajo, hiç. Ka qenë një shpikje. As nuk e kam prekë me dorë, as me kerr, as me kurrgjë. Kurrgjë nuk është ky rast, hiç.”, ka thënë për Gazetën Sinjali, kirurgu torakal, Saudin Maliqi.