Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, ka njoftuar se i ka ofruar ndihmë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë dhe Spitalit të Durrësit.
Sejdiu ka bërë të ditur se ka kontaktuar në telefon me drejtorin e QSUT-së Enkel Joti dhe drejtoreshën e spitalit të Durrësit Diri Kertusha. Këta të fundit i kanë thënë Sejdiut se për momentin nuk kanë nevojë për ekipe shtesë mjekësore, shkruan Gazeta Shneta.
Gjithsesi, Sejdiu ka deklaruar se ekipet e mjekëve të QKUK-së janë në gatishmëri në rast se paraqitet nevoja për ndihmë.
“Sapo bisedova në telefon me drejtorin e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, z. Enkel Joti, dhe drejtoreshën e Spitalit të Durrësit, znj. Diri Kertusha, të cilëve ju shpreha gatishmëri për ndihmë nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, pas tërmeteve që kanë goditur sot Shqipërinë. Gjatë bisedës, ata më konfirmuan se për momentin nuk ka nevojë për ndihmë nga ekipet mjekësore nga SHSKUK. Ekipet tona vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie që në rast nevoje të dalin në ndihmë”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.
Tërmeti i fuqishëm që ndodhi sot në Shqipëri la të vdekur mbi 15 persona dhe qindra të lënduar. Ekipe të shumta nga FSK-ja dhe Policia e Kosovës janë dërguar në Shqipëri për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. /Gazeta Shneta/