Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka furnizuar Klinikën e Onkologjisë me pajisjen milionëshe “Dual-Energy Linear Accelerator”. Për krijimin e specifikave SHSKUK nuk e ka pritur Bankën Botërore, ndërsa me procedurë të përshpejtuar ia ka dhënë tenderin milionësh kompanisë “NPT Medica SHPK”
Dual-Energy Linear Accelerator – është një pajisje mjekësore e cila përdoret për trajtimin e pacientëve me kancer me anë të rrezatimit. Kjo pajisje dërgon rreze x me energji të lartë ose elektrone në pjesën e tumorit.
Për këtë pajisje Shërbimi Spitalor Klinik Universitar kishte hapur tenderin më 11 tetor me vlerë të parashikuar 1 milion e 500 mijë euro. Kjo është vlera më e lartë për një pajisje mjekësore të blerë nga ky institucion.
SHSKUK më 4 dhjetor ka shpallur fitues kompaninë ‘NPT Medica SHPK’. Pronar të kësaj kompanie në Agjencinë e Bizneseve figurojnë Lisian Bajrami dhe Artrin Bajrami. Ndërsa Arbër Merovci është drejtor menaxhues. Në njoftimin mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues bëhet e ditur se ‘Medica’ ia ka shitur SHSKUK-së Acceleratorin me vlerë 1 milion e 487,777 euro, shkruan Gazeta Shneta.
SHSKUK nuk e ka pritur Bankën Botërore për krijimin e specifikave me arsyetimin se pajisja është shumë e nevojshme për pacientët dhe duhet të blihet sa më shpejt..
“Duke u bazuar se kjo paijisje është shumë e nevojshme dhe domosdoshme për pacient në e Klinikës e Onkologjisë në QKUK si dhe vonesave në përpilimin e specifikave teknike nga banka Botërore. Duke pasur parasyshë nevojen imediate në bazë të numrit të madh të pacientëve të cilët janë me sëmundje nga kanceri në këtë klinikë, kjo paijsje është shumë e rëndësishme dhe domosdoshme për kliniken e Onkologjisë”, thuhet në njoftimin për kontratë.
Aty kërkohet përshpejtimi i procedurave dhe ekzekutimin sa më të shpejt të këtij projekti. “Në bazë të kësaj arsyeje kërkohet që të bëhet shkurtimi i afatit nga 40 në 20 ditë”, thuhet në këtë njoftim i cili mban emrin e shefit të Prokurimit të SHSKUK-së Selami Krasniqi. /Gazeta Shneta/