Problemet urogjenitale te meshkujt janë të shumta dhe përfshijnë të gjitha moshat, nga fëmijëria, puberteti, mosha fertile e planifikimit familjar, mosha e shtyrë dhe faza e pleqërisë.
Urologu i njohur Dr. Fahredin Veselaj i cili punon në Klinikën Urologjike në QKUK dhe në Spitalin “VITAHOSPITAL” në Prishtinë, ka shpjeguar simptomat dhe trajtimin urologjik të problemeve urogjenitale tek meshkujt, si dhe faktorët kryesorë të infertilitetit që nga lindja e deri tek mosha e rritur.
Veselaj thotë se problemet më të shpeshta tek meshkujt janë infeksionet urinare dhe numër i madh i tyre trajtohen në ordinanca urologjike, problemi i dytë janë tumoret në traktin urinar të cilat gjithashtu përfshijnë të gjitha moshat. “Që nga mosha fëmijërore mund të paraqitet kanceri i veshkës, në adoleshencë deri në 35-vjeç janë të shpeshta tumoret e testiseve, ndërsa në moshë të mesme dhe të shtyrë është më i shpeshtë kanceri i fshikëzës urinare për shkak të konsumimit të duhanit, pastaj kanceri i prostatës i cili është mjaft i shpeshtë dhe ka tendencë të rritjes në Kosovë tek moshat e shtyra”, ka shpjeguar urologu. Ndonëse numri i pacientëve me tumore është në rritje, mjeku thotë se fal avancimit të trajtimit numri i shpëtimit të jetëve është rritur poashtu.
Duke qenë se Kosova është një vend endemik ku kushtet dhe klima favorizojnë formimin e gurëve, ky është edhe një nga problemet më të shpeshta tek meshkujt kosovarë.
“Janë problem shumë i madh sepse mund të paraqiten nga mosha fëmijërore, por më të shpeshtit janë në moshën e rritur nga 20 deri 50-vjeçare. Më shpesh janë tek meshkujt për shumë arsye, për shkak të aktiviteteve fizike, punëve më të rënda, apo faktorët gjenetik dhe hormonal. Urologjia në vendin tonë ka avancuar mjaft shumë në kuptimin e diagnostikimit me ultrazë apo CT, por edhe trajtimi është avancuar dhe krahas intervenimeve me ESWL, thyerja e gurëve bëhet edhe përmes ureterit një e arritur mjaft e madhe kjo në Kosovë pasi pacienti pas 24 orëve mund të rikthehet në aktivitetet e përditshme”, ka treguar Veselaj në një bisedë për Gazeten Shneta.
Ai ka shtuar se ka edhe një numër të rasteve që kryhen me kirurgji të hapur, por tendenca është që ky numër të zvogëlohet dhe të fuqizohet trajtimi i gurëve me teknikën e shpuarjes e cila ndryshe quhet teknika ‘perkutane’ dhe përmes një vrime të arrihet thyerja e gurëve në veshkë. Kjo teknikë nuk realizohet në QKUK për shkak të mungesës së kushteve.
Pengesat e planifikimit familjar tek meshkujt
Vetëdijësimi dhe trajtimi i problemeve të natyrës seksuale dhe të planifikimit familjar në Kosovë ka filluar të ndryshojë për të mirë. Urologu Veselaj thotë se meshkujt nuk hezitojnë të konsultohen me mjekët, gjë që kjo praktikë nuk ka qenë aq e pranishme para 10 vjetësh.
“Krahas problemeve që i përmendem, disfunksionet elektile dhe problemet që lidhen me planifikimin familjar janë gjithnjë në rritje. Është një temë që më parë nuk është diskutuar dhe tani ka ndryshuar kjo gjë. Në ordinancë është një numër i madh i pacientëve vijnë për konsulta gjë që s’ka qenë para 10 viteve”, thotë Veselaj.
Problemet me disfunksionet elektile përfshijnë periudhën adoleshente, periudhën e planifikimit familjar dhe tek pacientët me moshë të mesme dhe të shtyrë.
“Problemi i planifikimit familjar është më i gjerë dhe çrregullimet e potencës janë vetëm një nga faktorët. Më herët është menduar se problemi është vetëm tek femrat dhe ato janë trajtuar, por tani trendët janë ndryshe dhe faktorët janë pothuajse të barabartë. Në disa statistika 50 për qind janë shkaktar femrat, 30 përqind vetëm meshkujt dhe 20 për qind të dy gjinitë. Por problemi nuk mund të zgjidhet nëse trajtohet vetëm në njërën gjini”, ka shpjeguar mjeku, shkruan Gazeta Shneta.
Një prej problemeve të tilla është tek foshnjat meshkuj të porsalindur, mos zbritja me kohë e testiseve në skrutum. “Është një problematikë e shprehur tek të lindurit dhe kemi raste kur operojmë edhe tek moshat e të rriturve por ky problem do të duhej të trajtohej ndoshta në moshën 18 muajshe. Mos zbritja me kohë e testiseve në skrutum është një faktor që shkakton zvogëlimin e numrit të spermatozoideve dhe lëvizshmërisë së tyre”, ka thënë Veselaj, duke bërë thirrje tek kolegët e tij neonatologë që t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij problemi tek foshnjat e sapolindura.
Infeksionet urogjenitale janë një nga shkaktarët shumë të shpeshtë të mos arritjes së realizimit të planifikimit familjar, problemet me hormone poashtu janë problem tek pacientët me diabet apo çrregullime tjera. Por edhe faktorët psikologjik, social e ambiental, stresi, natyra e punës, ushqimi, janë disa faktorë të rëndësishëm që çdo herë e më tepër kemi rritje të numrit të pacientëve me infertilitet.
Këto probleme të infertiltietit, Veselaj i shpjegon mjaft mirë në kontekstin e Kosovës. “Në kontekstin e Kosovës gjeneratat të cilat në 7-8 vitet e fundit janë në planifkimi familjar, janë gjenerata që kanë qenë fëmijë në vitet nga 90-ta. Këto gjenerata nuk e kanë pasur kujdesin shëndetësorë sa duhet, ka kaluar periudhën e luftës me të gjitha bombardimet dhe problemet tjera. Qelizat amë që më vonë janë material për përgatitjen e spermatozoideve, janë qeliza të ndijshme dhe në ruajtjen e tyre ndikojnë shumë faktorë. Ndër ta kanë ndikuar kushtet, ushqimi i dobët, mos vaksinimi i duhur, lufta, rrezatimi, stresi i kohës, etj”, thotë mjeku.
Ai shton se pas luftës mënyra e ushqimit, konsumimi gjithnjë e më i madh i produkteve të konservuara dhe jo bio, po ashtu kanë ndikuar në këtë problematikë. “Por edhe mosha e fillimit të aktiviteteve seksuale në Kosovë ka filluar të bie dhe kjo shkakton infeksione të cilat të rinjtë nuk i trajtojnë, nuk kanë informacione për to, por ato ndikojnë në mbylljen e kanaleve urogjenitale dhe kjo pastaj rezulton në probleme të planifikimit familjar”.
Urologu i njohur ka treguar rastet e rënda kur meshkujve që janë të pamartuar duhet hequr testiset në tërësi për shkak të kancerit dhe shqetësimi i tyre për t’u bërë prindër në të ardhmen.
“Kemi raste të heqjes së tërësishme të testiseve për të shpëtuar jetën. Shqetësimi i pacientëve është planifikimi familjar pasi të shpëtojë nga kanceri. Ky është problem i pazgjidhur për ta në Kosovë, por në vende të tjera spermatozoidët mund të bankohen paraprakisht dhe të përdoren më vonë. Apo shtatzënia mund të arrihet edhe me donacion të spermës apo qelizave vezë”.
Në anën tjetër mjeku ka shpjeguar rastet e diagnostikuara me varikoqelë dhe zgjerimin e enëve të gjakut përreth testistit të majtë. Ky problem dobëson lëvizshmërinë e spermatozoidëve dhe zvogëlon potencialin për të arritur shtatzëninë, por fatmirësisht është problem që zgjidhet me anë të kirurgjisë. “Një numër i madh i çifteve arrijnë shtatzëninë pas eliminimit të këtij problemi me anë të kirurgjisë”, ka thënë Veselaj.
Krejt në fund mjeku ka bërë thirrje që pacientëve me probleme të natyrës së tillë për shkak të ndjeshmërisë së madhe, t’iu kushtohet më shumë kujdes gjatë diagnostikimit, kumtimit të problemit dhe trajtimit të tyre. /Gazeta Shneta/