Gazetari kinez Chen Qiushi është zhdukur në Wuhan pasi raportonte për gjendjen e rëndë nga koronavirusi në këtë qytet.
Qiushi, i cili njihet si një gazetar kritik pas gjendjes së krijuar në Wuhan, është zhdukur nga dita e enjte kur pati kontaktet e fundit me miqtë dhe familjarët e tij, shkruan CNN, transmeton Gazeta Shneta.
Deri në ato momente Qiushi ishte tërë kohën në kontakt me të afërmit e tij pasi dyshonte se mund të arrestohej nga autoritetet. Madje ai ua kishte lënë edhe fjalëkalimet e adresave elektronike dhe llogarive në rrjetet sociale në rast se i ndodh diçka.
Nëna e gazetarit 34-vjeçar kërkoi ndihmë në rrjetet sociale për ta gjetur të birin e saj, i cili nuk po lajmërohej nga Wuhan.
Miqtë e tij zbuluan më vonë se Chen mund të jetë vendosur me dhunë në karantinë nga policia, në mënyrë që t’i ndalohej raportimi, por zyrtarisht ende nuk ka asnjë informacion për gjendjen dhe vendndodhjen e tij.
Kujtojmë se autoritetet kineze kishin arrestuar edhe oftalmologun Li Wenliang, i cili i pari e kishte lajmëruar rastin e parë me koronavirus në Kinë. Mjeku ndërroi jetë nga kjo sëmundje para 1 jave. /Gazeta Shneta/




