Prof. Naser Ramadani e ka propozuar kolegun e tij të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Dr. Xhevat Jakupin për kryesues të Bordit të ri të SHSKUK-së. Kështu thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo ministri ka sqaruar se Bordi me ish-anëtarët ka qenë jofunksional pasi me rënien e Qeverisë Haradinaj nuk ka pasur kuorum dhe kësisojë nuk kanë mundur të marrin vendime. MSH ka sqaruar se vendimi për emërimin e Bordit të ri do t’i ndihmojë situatës me koronavirusin pasi SHSKUK do të jetë në gjendje të marr vendime, transmeton Gazeta Shneta.
MSH ka sqaruar se ish-kryesuesi i Bordit Prof. Naser Ramadani, e ka propozuar kolegun e tij mikrobiologun Dr. Xhevat Jakupin për anëtar të ri dhe kryesues të Bordit.
“Me propozimin e Prof. Ramadanit dhe pëlqimin e tij, përfaqësues i IKSHPK-së në Bordin e SHSKUK-së është zgjedhur dr. Xhevat Jakupi, mikrobiolog, i cili është përgjegjës për testimit me RT-PCR të mostrave të mbledhura për testim në COVID-19”, thuhet ne njoftim.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar sot paradite se me miratim te Qeverise jane emëruar në Bord Dr. Agreta Gecaj-Gashi, anesteziologe/intensiviste në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv në QKUK; Dr. Aida Rexhepi, Specialiste e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive; Dr. Xhevat Jakupi, mikrobiolog, shef i Laboratori të Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Jakupi është emëruar në pozitën e kryesuesit; Dr. Diana Dafota nga Spitali i Gjakovës, do të mbajë pozitën e përfaqësueses nga spitalet rajonale. Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; Dr. Mirsad Shkreta, stomatolog, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë; dhe anëtari i shtatë sipas njoftimit të MSH-së do të jetë një ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.
Njoftimi i plotë nga MSH:
Sot u emërua Bordi i ri të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Ministria e Shëndetësisë dëshiron të bëjë me dije se prej sot bordi deri tani jo funksional prej këtij vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës është plotësisht funksional dhe do t’i dalë në ballë sfidës më të jashtëzakonshme që e ka Shërbimi ynë spitalor.
Për dijeni tuaj të nderuar qytetarë, me rënien e Qeverisë paraprake, bordi pati mbetur mbetur jo-funksional, pa kuorum, për shkak të largimit të disa prej anëtarëve.
Në kohën kur bota po ballafaqohet me një pandemi të rrezikshme siç është Koronavirusi Covid-19 dhe rrjedhimisht edhe Kosova, për Ministrinë e Shëndetësisë është shumë e rëndësishme që SHSKUK si ofruesi kryesor i shërbimeve shëndetësore dytësore dhe tretësore në vend të jetë funksional dhe në shërbim karshi situatës së krijuar.
Ju njoftojmë po ashtu se prof. Dr. Naser Ramadani, vazhdon të jetë drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili bashkë me kolegët janë 24/24 në krye të detyrës.
Koordinimi me MSh-në si autoriteti më i lartë shëndetësor në vend dhe me nivelet e tjera të kujdesit shëndetësor ka qenë i shkëlqyer edhe falë punës dhe angazhimit të IKSHPK-së.
Me propozimin e Prof. Ramadanit dhe pëlqimin e tij, përfaqësues i IKSHPK-së në Bordin e SHSKUK-së është zgjedhur dr. Xhevat Jakupi, mikrobiolog, i cili është përgjegjës për testimit me RT-PCR të mostrave të mbledhura për testim në COVID-19.
Sa i përket Bordit të ri të SHSKUK-së, delegimi i anëtarëve të këtij bordi, është bërë sipas legjislacionit në fuqi, duke respektuar të gjitha normat e parapara dhe mbi të gjitha duke marrë parasysh misionin e madhe të cilin e bartin këta profesionistë shëndetësorë në këto rrethana.