Bërja e hemodializës deri në 3 herë në javë, proceduarat e saj, qëndrimi në ambientet spitalore apo para-spitalore, ardhje-shkuarjet, etj., krijojnë mundësi që pacientët të ekspozohen ndaj infeksionit dhe të jenë në grupin e pacientëve me rrezikshmëri të lartë. Bashkë me ta, edhe personeli shëndetësor që bën hemodializën
Prof. Dr. Salih Ahmeti
Që nga fillimi i përballjes me epideminë e Covid-19 është konsideruar shqetësuese mundësia e infeksionit të stafit shëndetësor, prandaj disa herë kam apeluar te kolegët që të kenë kujdes në respektimin e masava mbrojtëse, në veçanti në shkrimin: “Ne, mantelbardhet dhe Covid 19”, sepse humbjet në personelin shëndetësor janë humbje edhe për pacientin.
Përderisa më parë kam sugjeruar stafin shëndetësor të respektojnë në maksimum masat e mbrojtjes personale në mënyrë që numri i personelit shëndetësor të infektuar të jetë sa më i vogël, tani kërkohet durim, kurajo dhe motivim në respektimin e të gjitha masave që mundësojnë shmangien e infeksionit në mesin e personelit shëndetësor dhe pacientëve. Që kjo të arrihet, organet qeveritare kompetente duhet në vazhdimësi të furnizojnë stafin shëndetësor me mjete mbrojtëse të mjaftueshme dhe cilësore.
E veçantë për t’u theksuar në përballje me epideminë tek ne ka qenë mungesa e infeksionit me Covid-19 në mesin e pacientëve të hemodializës.
Këta pacientë në aspektin shëndetësor janë një grup mjaft vulnerabil, sepse kanë imunitet të pamjaftueshëm për t’u përballuar me SARS-COV-2, sepse krahas dëmtimit të veshkave, kanë edhe sëmundje shoqëruese dhe infeksione të shpeshta me virusin e Hepatitit C apo B, e ndonjëherë me të dy këto viruse.
Bërja e hemodializës deri në 3 herë në javë, proceduarat e hemodializës dhe qëndrimi në ambientet spitalore apo para-spitalore, ardhje-shkuarjet, etj., krijojnë mundësi që këta pacientë të ekspozohen ndaj infeksionit. Këto dhe të tjera shkaqe bëjnë që këta pacientë të jenë në grupin e pacientëve me rrezikshmëri të lartë.
Njëjtë me pacientët janë të rrezikuar edhe personeli shëndetësor që bën hemodializën.
Respektimi i masave mbrojtëse në këto hapësira duhet bërë me kujdes të shtuar, në mënyrë që të mos rrezikohet personeli shëndetësor apo pacientët.
Në dhjetë ditët e fundit kemi regjistruar infeksione në mesin e pacientëve dhe personelit shëndetësor në pavijonet e hemodializës. Në Klinikën Infektive kemi në kurim 3 pacientë të hemodalizës, njëri prej të cilëve, fatkeqësisht, ka përfunduar me exitus. Personeli shëndetësor i këtyre pavijoneve duhet të ketë kujdes të shtuar, kurajo e durim në mënyrë që infeksionet e tilla të janë sa më të pakta.
Prandaj, në cilësinë e kolegut, ju sugjeroj për kurajo e durim në respektimin e masave mbrojtëse, sepse jemi në ditët e ashpërsisë së epidemisë, por jo larg fundit të saj. Me kujdes, së bashku do të ia dalim! /Gazeta Shneta/