IKSHPK’ja ka raportuar se gjatë ditës së djeshmë kanë rezultuar 8 raste me COVID-19.
Tre raste të të prekurve janë në Prishtinë, 2 raste në Mitrovicën e Jugut, dhe me nga 1 rast janë vendbanimet Llazarevë- Obiliq, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë për Klan Kosova se 3 rastet e reja me Covid-19 janë familjarë të punëtorit të shëndetësisë që ishte infektuar në një spital privat. Ai më tej deklaroi se rreth 70 persona në kryeqytet do të kryejnë testet të dyshuarë si raste kontakti.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Tahiri, ka bërë të ditur se rasti i ri me koronavirus në Obiliq ësht një infermiere që ka punuar në spitalin e njëjtë privat ku ishte infektuar edhe punëtori shëndetësor nga Prishtina.
Pos këtyre rasteve nga ky spital privat është infektuar me koronavirus edhe një infermiere nga Gjilani.
Këtë për klankosova.tv e bëri të ditur nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli. Ai më tej me anë të një postimi në rrjetin social Facebook deklaroi se ky rast është nën kontrollë të plotë, dhe se është siguruar edhe lista “A” e kontakteve të saj, me njerëz potencial.
Ndërsa, edhe nga Komuna e Mitrovicës në një përgjigje të dhënë për Klan Kosovën deklaruan se njëri nga rastet e reja me Covid-19 në këtë qytet është një infermiere që punonte në të njëjtën klinikë private si rastet e komunave të tjera.