Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Kadrush Abazit, i cili ftonte publikisht qytetarët që të testojnë sipas tij një ilaç alternativ kundër koronavirusit.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit K.A., për shkak të veprës penale ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, nga neni 260 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Sipas aktakuzës, më 6 prill 2020, i pandehuri K.A., në fshatin Përlepnicë Komuna e Gjilanit, ka vënë në qarkullim barëra ose produkte të dëmshme mjekësore, pa iu bërë kontrolli i nevojshëm nga personi apo enti i autorizuar, në atë mënyrë që përmes rrjetit social ‘Facebook’, ka publikuar njoftimin për vënien në qarkullim të barit për luftimin e Corona Virusit”, thuhet në njoftimin për media.
Abazi kishte publikuar në Facebook një recetë të cilës ia kishte bashkangjitur një vendim të Ministrisë së Tregtisë, ku thuhet se atij ju njihet patenta për një ilaç bimor që shëron bajamet dhe e lidhte atë me COVID-19. /Gazeta Shneta/