Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka njoftuar për emërimin e Bordit të ri për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore, por nuk ka treguar emrat e tyre.
Zemaj në postimin e tij ka thënë se qëllimi i tij është fuqizimi i kapaciteteve profesionale brenda Kosovës, në mënyrë që të ulen shpenzimet për trajtim jashtë vendit, transmeton Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë nga Zemaj:
Emërova anëtarët e rinj të Bordit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Puna e Bordit, kompetencat dhe përgjegjësitë janë të rregulluara me udhëzimin administrativ. Bordi, në baza të rregullta, do t’i raportoj ministrit. Puna e tyre e pavarur, do ta ketë përkrahjen time të plotë.
Qëllimi i politikave tona është që të fuqizohen kapacitetet profesionale dhe shërbimet mjekësore brenda Kosovës, ashtu sikur jemi shumë të vendosur dhe të përkushtuar për të rritur sasinë dhe cilësinë e shërbimeve ekzistuese.
Prioritet në këtë drejtim është ulja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit deri në 50%. Kuadrit tonë të shkëlqyer shëndetësor, ju duhen kushte për ta realizuar këtë objektiv.
Fondet buxhetore që do të kursehen, planifikojmë t’i shndërrojmë në investime për kuadrin tonë dhe pajisjet moderne. Për këtë prioritet, pres të kem edhe përkrahjen e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.