Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka mbajtur sot një takim me drejtorët e klinikave në QKUK, nga të cilët ka kërkuar më shumë angazhim si dhe i ka paralajmëruar se do të ketë llogaridhënie për punën e tyre.
“Ne jemi të interesuar që të ngrisim kapacitetet, por njëherit kërkojmë edhe llogari dhe performancë më të mirë”, ka deklaruar Zemaj. Ai ka thënë se drejtorët e klinikave i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, shkruan Gazeta Shneta.
“Ka tejkalim të kompetencave dhe tejkalim të kërkesave të arsyeshme. Unë nuk e di se me çfarë qëllime ndodhin këto, por do t’i shohim të gjitha në llogaridhënie. Prandaj do të jemi korrekt edhe në trajtimin e këtyre cështjeve, dhe performanca do të kërkohet në të gjitha nivelet”, ka deklaruar Zemaj.
“Ne do të kërkojmë llogaridhënie për performancën e secilit prej jush dhe kushdo që nuk mund t’i kryej detyrat me nder dhe përgjegjësi do të kalojnë në një nivel tjetër të përgjegjësisë”, ka deklaruar ministri.
Zemaj ka deklaruar se institucionet shëndetësore të cilat ishin pezulluar në pandemi, duhet të kthehen sa më shpejt. “Numri i rasteve me fatalitet është i madh dhe duhet këtë çështje duhet ta trajtojmë me profesionalizëm”, ka deklaruar ministri.
Zemaj ka deklaruar se gjatë mandatit të tij asnjë mjek specialist nuk do të mbetet i papunë. Ai ka deklaruar se duhet të shtohen shërbimet dhe të ndalet ikja e pacientëve jashtë vendit për shërim. “Unë insistoj që këto shërbime të kryhen në Kosovë dhe qytetarët të mos kenë nevojë të shpenzojnë jashtë vendit”, ka deklaruar Zemaj.