Medikamenti “Ozempic” që përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe i cili jepet me rekomandim të mjekut, ka gjetur përdorim të madh edhe nga personat që duan të humbin peshë.
“Ozempic”, u kthye në ilaçet më të komentueshme sa i përket humbjes së peshës, duke bërë që disa qytetarë të mund të hasin lehtësisht në marrjen e tij edhe pa recetën e mjekut.
Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Telegrafin ka treguar se janë 10 gjoba që janë shqiptuar deri tani lidhur me medikamentin “Ozempic”.
“Ju informoj se Inspektorati Farmaceutik me prioritet të lartë trajton çdo shqetësim të ngritur lidhur me produktet dhe pajisjet medicinale, në këtë rast edhe për produktin “Ozempic” kemi pranuar ankesa lidhur me dispenzimin (dhënien) pa recete mjekësore dhe dyshimet për falsifikim. Sipas informatave te cilat i disponon IF, produkti medicinal “Ozempic” është i regjistruar tek autoriteti kompetent siç është AKPPM dhe qarkullon ne tregun farmaceutik te Republikës se Kosovës. Bazuar në të dhënat që posedon arshiva e IF-së, gjithsej janë shqiptuar 10 gjoba për produktin ne fjalë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
MSH bën të ditur se 8 gjoba janë shqiptuar për dhënie të produktit medicinal “Ozempic” pa recetë mjekësore dhe 2 gjoba për produkt medicinal “Ozempic” të falsifikuara, për këto raste është njoftuar AKPPM dhe Policia e Kosovës.