Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka lidhur një kontratë për projektimin e Spitalit të Podujvës e cila do t’i kushtojë 95 mijë euro.
Në tetor të vitit të kaluar SHSKUK pati hapur konkursin e projektimit për ndërtesën e Spitalit të Podujevës. Procesi ishte pezulluar disa herë për shkak të ankesave dhe rishqyrtimeve nga Prokurimi, ndërsa vendimi final është marr në qershor të këtij viti, shkruan Gazeta Shneta.
Për këtë projekt SHSKUK i ka shpërblyer tre ofertues, kompaninë fituese në vendin e parë “Alb – Architect” me çmim 95 mijë euro, ndërsa dy kompanitë tjera i ka shpërblyer me 3 mijë euro për vendin e dytë kompaninë “Ardi CC LLC” dhe 1,500 euro për vendin e tretë përkatësisht kompaninë “Eng IDEA”.
Për këtë projekt kishin konkurruar gjithsej gjashtë kompani ose grupe operatorësh të cilët janë vlerësuar me pikë në aspektin teknik dhe financiar. Kompania “Eng Idea” e cila është shpërblyer në vendin e tretë, ka qenë me ofertën më të lirë me rreth 73 mijë euro, rreth 22 mijë euro më lirë sesa operatori fitues.
Ofertë më të lirë sesa kompania që ka fituar kontratën ka pasur edhe grupi i operatorëve “PH Architect”, “Smart Architecture” dhe “4-ING” me rreth 77 mijë euro.
Ndonëse ky projekt ka filluar në kohën kur ministër i Shëndetësisë ka qenë Uran Ismaili nga PDK, tashmë pasardhësi i tij nga LDK Armend Zemaj ka thënë se funksionalizimi i Spitalit të Podujevës do të bëhet së shpejti.
“Së shpejti do të behet realitet funksionalizimi i Spitalit të Podujevës dhe ndërtimet shtesë sipas planprojektit, për këtë sapo biseduam së bashku me z. Agim Veliun, Ministër i Punëve të Brendshme, dhe z.Nexhmi Rudarin, nënkryetar i Podujevës”, ka deklaruar Zemaj gjatë ditës së djeshme. /Gazeta Shneta/