Pacienti 50-vjeçar Jetullah Qelaj ka ndërruar jetë në Spitalin e Prizrenit në rrethana të dyshimta. Familjarët tregojnë tmerrin që përjetuan në natën kritike. Ata thonë se pacienti vdiq në lift, pasi lifti ishte bllokuar për disa minuta dhe bombola s’kishte oksigjen
Jetullah Qelaj ishte hospitalizuar në repartin e pediatrisë në Spitalin e Prizrenit para dy javësh si i dyshuar me Covid-19. Pasi ishte konfirmuar pozitiv me test, ishte transferuar për trajtim në repartin e ORL-së, shkruan Gazeta Shneta.
Mjekët kishin filluar me terapi kurse në të njëjtën kohë trajtohej edhe nëna e tij në repartin e Pulmologjisë. E ëma është gjallë ndonëse në gjendje të rëndë, kurse i biri fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Qelaj humbi betejën me Covidin në moshën 50-vjeçare, por vdekjen e tij e bën më të rëndë rrethanat në të cilat ndodhi. Vëllai i tij, Xhelali, ka rrëfyer për Gazetën Shneta tmerrin që kanë përjetuar në natën kritike.
Ai tregon për një incident që kishte ndodhur derisa i ndjeri ishte duke u trajtuar me oksigjenoterapi. “Ka kërcitur pajisja e cila e rregullon oksigjenin në bombolë. Unë isha tek në repartin e Pulmologjisë ku trajtohej nëna, dhe më ka thirr djali i vëllait. Tha është duke luftu për jetë, saturimi i kishte rënë nën 40. Pastaj e kanë gjet një pajisje tjetër dhe filloi gjendja me u përmirësu, saturimi u ngrit në 59 dhe gjendja e tij nuk ishte e paqëndrueshme”, ka deklaruar Xhelali.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës. Vëllai i të ndjerit tregon se në atë moment kishte kërkuar mjekun kujdestar por nuk e gjeti dhe i tha një tekniku ta thërras në telefon.
“Në atë moment unë kam shku me thirr mjekun, por kur shkova tek tekniku kujdestar, ai e ka marr telefonin me thirr mjekun kujdestar sepse ata zakonisht ose flejnë ose nuk janë në vendin e punës. Kur ka ardhë mjeku kujdestar nga sytë e kam vërejt se ai ka qenë duke fjetur. Tha duhet me dërgu në intensivë me i dhënë oksigjen me presion sepse kështu nuk mund ta përballojë. Vëllai ishte me vetëdije dhe nuk dojke me dërgu. Mjeku tha që nëse bëhet vonë ne nuk mund të bëjmë pastaj asgjë”, ka treguar Xhelali.
Tutje ai rrëfen se në atë moment kanë ardhë tre ose katër mjekë të cilët kanë vendosur që ta dërgojnë pacientin në intensivë, por paraprakisht kërkonin bombolë portative me oksigjen për ta bërë transportin. Xhelali tregon se mezi e kishin gjetur një të tillë në ambulancë, por thotë se edhe ajo nuk ishte e mbushur plotësisht sepse e njëjta nuk kishte presion të mjaftueshëm.
“Unë kam insistu se kjo nuk është zgjidhje, por ata thanë që duhet ta dërgojnë. Kur kemi shku te lifti nuk kishin kartel për hapjen e liftit, është dasht me shku në një repart tjetër, mandej kanë shku një kat më poshtë 3-4 minuta me bocë, kur erdh lifti nuk u hapke dera, e tmerrshme ka qenë kur ka mbet në lift brenda djali dhe mjekët. Kur e kemi fut në intensiv ka bërë një shenj me dorë dhe si duket aty ka dhënë jetë. Pas 20 minuta na kanë konfirmuar që ka ndërruar jetë”, ka thënë Xhelali.
Djali i të ndjerit ka deklaruar se babai i tij ka ndërruar jetë në ashensor.
“Kemi hypë në ashensor unë babi dhe mjeku i turnit të natës që s’ja di emrin. Kemi tentuar me shkuar lartë por s’ka punuar lifti, s’ka punuar kartela s’di ku ka qenë problemi. Kur kemi mbërri një kat më lart lifti nuk është hapë dhe ne kemi mbet brenda në lift për 5deri 7 minuta me babën me një gjendje kritike dhe me një bocë që unë i kam tregu mjeku paraprakisht që nuk është e mjaftueshme për babën. Edhe pse saturimi ka shku duke u zbrit gradualisht me qëndrimin brenda liftit për 5 deri 7 minuta boca është ndalë krejt. S’ka pas oksigjen mjaftueshëm. Fatkeqësisht babi në ashensor më ka ndërruar jetë”, ka thënë ai për mediat.
“Vet stafi mjekësor na kanë thënë se gjendja e tij është e qëndrueshme. Një organizim shumë i keq, një dështim në 3-4 pika dhe për këtë arsye djali i vëllait ka bërë kallëzim në Policinë e Kosovës sepse aty ka pas të meta sa të duash”, ka deklaruar Xhelal Qelaj në fund.
Gazeta ka kërkuar sqarime për rastin edhe nga Spitali i Prizrenit, por zyrtarët nuk janë përgjigjur në telefon dhe as nuk kanë kthyer përgjigje në adresën elektronike. /Gazeta Shneta/