Ka ndërruar jetë nga koronavirusi epidemiologu Dr. Muhamet Avdyli. Të ndjerin e ka kujtuar një nga kolegët e tij Prof. Isuf Dedushaj i cili ka publikuar edhe një biografi të të ndjerit.
– IN MEMORIAM – NË KUJTIM-
Sot me pikllim të thellë morra lajmin e hidhur për vdekjen e kolegut, mikut dhe shokut të gjeneratës,
Dr. Muhamet AVDYLI, MD. (1951- 2021) Epidemiolog
Mjek, epidemiolog. Lindi më 12.12.1951, në Kliqinë –Komuna e Pejës.
Shkollën fillore e kreu në “ 8 Marsi” në Pejë. Shkollimin e mesëm e përfundoi në “Gjimnazin “11 Maji “ sot “Bedri Pejani” në Pejë në vitin 1970. U regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin shkollor 1970/1971 si gjenerata e dytë ku edhe u diplomua. Përfundoi Specializimin nga Epidemiologjia në Fakultetin e Mjekësisë gjegjësisht në Institutin e Epidemiologjisë, Universiteti i Prishtinës dhe mori thirrjen: Mjek specialist nga Epidemiologjia. Eksperienca në punë:Punoi në Sekretariatin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Pejë. Pastaj ishte Shef i Inspektoratit Sanitar Tetor 1981 – 03 Shtator 1997.
Punoi në Qendrën Medicinale – Pejë – Mjek i praksës së përgjithshme (1997 / 1999). Pastaj vazhdoi më punë në Institutin Rajonal të Shëndetit Publik në Pejë, mjek specialist, Epidemiolog 1999-2002. Drejtorati Komunal i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – Pejë. Udhëheqës i Sektorit të Shëndetit Publik dhe Inspektoratit 2002 – 2003. U.D. Drejtor i Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Pejë 2003 – 2004. Drejtorati Për Punë Inspektuese – Komuna e Pejës 2004 – 2014. Ishte Shef i Sektorit të Inspektoratit Sanitar Veterinar dhe Mbrojtjes së Ambientit. U.D. Drejtor Drejtoratit Për Punë Inspektuese në 3 here nga 8 muaj.
QKMF- Pejë, Shef i Sektorit të Shëndetit Publik dhe Vaksinimit 2014-2016 (Imunizimit). Karakteristika të veçanta: Kreativiteti, menaxhimi i kohës, aftësia e mendimit analitik, aftësia për zgjidhjen e problemeve, përshtatshmëria, sinqeriteti, aftësia për punë në grup, aftësia komunikuese me shkrim dhe gojë, aftësia menaxheriale etj. Pas pensionimit jetoi në Pejë.
Sot pas një sëmundje të shkurtër si pasojë e COVID-19 e humbi betejën dhe iku në amshim dr. M. Avdyli mjeku i pa hile, epidemiologu i kujdesshëm, babai i pa shoq, miku i sinqertë, prandaj në emrin e gjeneratës së dytë të Fakultetit të Mjekësisë, në emër të epidemiologëve të Kosovës iu shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së ngushtë, miqve, farefisit, kolegëve ku ai punoi me përkushtim dhe shokëve të Gjimnazit “Bedri Pejani” Pejë. U prehtë në Paqe shpirti i tij Fisnik.
Literatura:
Isuf Dedushaj, “Monografi, NË 50 VJETORIN E UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS GJENERATA E DYTË E FAKULTETIT TË MJEKËSISË 1970 – 2020”.