Ministri Armend Zemaj është duke bërë përpjekje për shkarkimin e drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Fatmir Plakiqi.
Ka disa muaj që Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore i kryesuar nga ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, nuk ka mbajtur mbledhje, shkruan Gazeta Shneta.
Por në javën e fundit Zemaj ka bërë përpjekje që të mbledh anëtarët e Bordit, Skender Reçica, Rrezart Halili, Murat Berisha, Ermal Lubishtani, Bujar Gashin dhe Muhamedali Kodrën. Një mbledhje e Bordit me pikën e vetme për shkarkimin e drejtorit Fatmir Plakiqi, ka dështuar para tre ditësh.
Burime të Gazetës Shneta kanë treguar se Zemaj i ka kërkuar dorëheqjen Plakiqit, por ky i fundit nuk ka pranuar. Ndërkaq shkarkimi i tij është kundërshtuar edhe nga disa anëtarët të Bordit.
Si rezultat është bërë edhe një përpjekje për ndërrimin e anëtarëve të Bordit.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga ministri Zemaj për arsyet e përpjekjes për shkarkimin e Plakiqit, por ai nuk ka kthyer përgjigje. Gazeta ka informacione se një nga arsyet e Zemajt është borxhi milionësh i Fondit ndaj institucioneve private shëndetësore.
Për këto tensione nuk ka pranuar të flas as vet Plakiqi. Ky i fundit ka ardhur në këtë pozitë përmes një konkursi të jashtëm në kohën kur ministër i Shëndetësisë ka qenë Uran Ismaili i PDK-së. Ish-ministri madje e pati prezantuar vet Plakiqin si një person të suksesshëm me përvojë nga udhëheqja e Thesarit të Shtetit, drejtorisë së financave në Policinë e Kosovës dhe administratën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. /Gazeta Shneta/