Prof. Salih Ahmeti ka paralajmëruar se Kosova së shpejti mund të preket nga varianti indian i Covid-19.
India po përballet me një situatë mjaft të rëndë të pandemisë me qindra mijëra të infektuar brenda pak ditëve. Në këtë vend është përhapur një variant me mutacion të dyfishtë të Covid-19, shkruan Gazeta Shneta.
E ky variant mund ta prek edhe Kosovën shumë shpejt, sipas infektologut Salih Ahmeti.
“Në aspektin epidemiologjik sot bota është zvogëluar dukshëm meqenëse mundësitë e bartës së infeksionit në një botë të zhvilluar dhe me komunikime të shpejta është mundësia e bartjes së infeksionit prej një vendi në tjetrin është shumë e madhe dhe mund të bëhet shumë shpejt. Pra edhe për variantin apo lloj indian ka filluar të prek vende të ndryshme të Evropës….Kështu që ne nuk mund të eliminojmë rrezikun që ky variant të jetë së shpejti edhe në mesin tonë, dhe ne nuk kemi përvoja personale me këtë variant”, ka deklaruar Ahmeti për Kosovapress.
Ai ka shtuar se sipas autorëve që kanë publikuar punime për këtë variant, deri më tani nuk përshkruhet për ndonjë veçori më të ashpër sesa varianti britanik.
“Përshkrimet nga autorët tjerë nuk e përshkruajnë si variant që jep ndonjë problematik të veçantë në raport me variantet e mëparshme, sidoqoftë edhe ky përhapet shpejt dhe shkakton sëmundje dhe forma të rënda por që nuk dallojnë nga varianti britanik”, theksoi infektologu Ahmeti. /Gazeta Shneta/




