Në shtatë ditët e fundit, Gjermania ka shënuar një rënie të numrit të infektimit me Covid-19.
Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, përmes një komunikate për media, theksoi se distanca fizike dhe vaksinimi ishin faktorët kontribues në rënien e numrit të infektimit shkruan CNN, transmeton Gazeta Shneta.
“Trendi i javës së fundit ka treguar se vala e tretë duket se ka përfunduar”, tha Spahn.
Shkalla e infeksionit në Gjermani ka rënë nën 126 raste për 100,000 banorë në shtatë ditët e fundit. Fatmirësisht, shkalla e infeksionit shënoi rënie në të gjitha grupmoshat.
Në anën tjetër, qeveria ka bërë të ditur se së shpejti do të hyjë në fuqi legjislacioni i ri, i cili do të lejojë lehtësimin e masave anti covid për personat e vaksinuar plotësisht dhe ata të cilët janë rikuperuar nga Covid-19.
Këto grupe nuk do të kenë nevojë për të dëshmuar testin negativ, nëse duan të vizitojnë hapësirat publike.Ndërkaq, personat e vaksinuar do të kenë të drejtën për takime private, pa kufizime.
Së fundmi, karantina pas udhëtimit nuk do të jetë e detyrueshme nëse jeni të vaksinuar plotësisht (me disa përjashtime rajonale).
Spahn shtoi tutje se qeveria është duke punuar në sigurimin e kartave dixhitale të vaksinimit për personat e vaksinuar, deri në fund të muajit qershor.
Sipas Institutit Robert Koch, gati 31 përqind e popullsisë kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti covid, kurse 9 përqind janë të vaksinuar plotësisht./GazetaShneta/