Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për pranimin e donacionit të vaksinave nga Norvegjia, që sipas tij është në kundërshtim me ligjin për produkte dhe pajisje medicinale.
“Këto ditë Ministria e Shëndetësisë ka pranuar donacion nga Norvegjia pasi ky shtet kishte vendosur t’i largoj vaksinat e AstraZenecas. Bazuar në deklarimet e Ministrisë së Shëndetësisë në Norvegji, thuhet se afati i skadencës së tyre është korriku dhe gushti. Pse pranuat një donacion kur është në kundërshtim me ligjin për produkte dhe pajisje medicionale? Kur e kanë ditur datën e prodhimit të vaksinave, pse janë pranuar kur shumica e qytetarëve mbi 65 vjeç janë vaksinuar, pse keni pranuar donacion kur vendet e BE’së i kanë larguar ato”, ka deklaruar Haxhiu.
Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që ta kontrollojnë afatin e skandimit të vaksinave.
Por të papranueshme dhe abuzim me pozitën i ka konsideruar deklaratat e Haxhiut, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia. Ai i ka quajtur të pavërteta të gjitha deklarimet e tij, duke thënë se janë demantuar edhe nga ministria e shëndetësisë në Norvegji.
“Është e pandershme dhe e paprecedentë dhe abuzim me pozitën që kanë disa nga kolegët tanë me qëndrimet karshi vaksinimit. Kosova është i vetmi vend në rajon që ka në stoqe vaksina të aprovuara nga EMA dhe FDA. Ende nuk kemi asnjë efekt serioz tek të vaksinuarit. Tash që rrezikohemi nga varianti Delta, ishte dashur që të kemi një qëndrim të përbashkët që sa më shpejt të vaksinohen të gjithë qytetarët e Kosovës. Çdo thirrje tjetër është e pandershme”, ka deklaruar Vitia.
Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, duke thënë se vaksinat janë të sigurta për përdorim.
“Qytetarë të nderuar të gjitha vaksinat janë të sigurta. Vaksinohuni sepse është më e sigurt për shëndetin tuaj. Ju individë të caktuar nëse nuk doni të na ndihmoni, së paku mos na bëni dëme. Sepse nuk jeni duke dëmtuar ministrinë, por shëndetin e qytetarëve. Të gjitha që po i thoni, po doni të krijoni panik. Asgjë tjetër. Është e pavërtetë, e pavërtetë, e pavërtetë”, ka deklaruar Vitia. /Gazeta Shneta/