Arben Vitia dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë në fillim të muajit tetor për t’i hyrë garës për kryetar të komunës së Prishtinës.
Vitia e la këtë pozitë me një konferencë për media në Qeveri, ku njoftoi poashtu se pasardhëse e tij do të jetë zv.ministrja Dafina Gexha-Bunjaku, shkruan Gazeta Shneta.
Por kjo e fundit u vendos në pozitën e ushtrueses së detyrës dhe Qeveria ende nuk e ka vendosur ministrin e Shëndetësisë me mandat të plotë.
Kjo ka bërë që të flitet se Vitia mund të rikthehet sërish në pozitën e ministrit në rast se e humb garën në kryeqytet. Por ai e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se edhe nëse do të humb nuk do të rikthehet në MSH.
“Në çfarëdo varianti nuk do të rikthehem. Kam dhënë dorëheqje”, ka deklaruar Vitia në KlanKosova.




