Rifat Latifi si profesor dhe kirurg në Universitetin e Arizonës në vitin 2011 është paguar me 367 mijë dollarë pagë vjetore. Nga viti 2015 deri më 2020 Latifi ka përfituar mbi 28 mijë dollarë nga kompanitë e barnave. Ndërsa si ministër në Kosovë do të marr rreth 1150 euro pagë mujore.
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë Rifat Latifi i cili u emërua para një muaji nga kryeministri Albin Kurti, ka jetuar prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka lënë paga vjetore të cilat kapin shifrat prej qindra mijëra euro, për t’u rikthyer në vendlindjen e tij si ministër ku pagën vjetore do ta ketë pak më shumë se 10 mijë euro, shkruan Gazeta Shneta.
Nga viti 2011 Latifi ka punuar si profesor dhe kirurg në Universitetin e Arizonës ku ka regjistruar edhe një nga pagat më të larta vjetore që ka marr ndër vite në SHBA.
Sipas platformës ‘openpayrolls.com’ e cila nuk është faqe qeveritare, Latifi ka përfituar pagë vjetore 367,200 dollarë. Ndërsa nga viti 2012 deri më 2015, kirurgu shqiptar është paguar me pagë vjetore afër 200 mijë dollarë.
Sipas kësaj platforme paga vjetore e Latifit ka qenë rreth 218 për qind më e lartë sesa paga vjetore mesatare e kirurgëve në SHBA, ndërsa rreth 202.8 për qind më e lartë sesa paga e zyrtarëve qeveritarë në nivel kombëtar.
Gazeta Shneta ka siguruar edhe disa të dhëna për pagesat që Latifi ka përfituar nga kompanitë që prodhojnë barna në SHBA. Nga viti 2015 ai ka përfituar mbi 28 mijë dollarë si konsulent i kompanive, si dhe pagesa për pjesëmarrjen e tij në konferenca shkencore ku kompanitë i kanë mbuluar shpenzimet e tij.
Këto të dhëna janë nxjerr nga platforma qeveritare ‘openpaymentsdata.cms.gov’. Në këtë platformë publikohen të ardhurat që mjekët i përfitojnë nga kompanitë private. Përfitimet nuk llogariten si konflikt interesi.
Latifi tani si ministër i Shëndetësisë në Kosovë do të ketë pagë mujore rreth 1150 euro. /Gazeta Shneta/