A e zbulojnë testet rapide për COVID-19, variantin omicron në kushte shtëpie?
Po, por zyrtarët e shëndetësisë në SHBA thonë se të dhënat e hershme sugjerojnë se ata mund të jenë më pak të ndjeshëm në rezultatet e dhëna, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
Rekomandimet e qeverisë për përdorimin e testeve në shtëpi nuk kanë ndryshuar. Njerëzit duhet të vazhdojnë t’i përdorin ato kur një rezultat i shpejtë është i rëndësishëm.
“Përfundimi është se testet ende zbulojnë COVID-19 nëse është Delta, Alfa apo Omicron,” thotë Dr. Emily Volk, presidente e Kolegjit të Patologëve Amerikanë.
Shkencëtarët qeveritarë kanë kontrolluar për t’u siguruar që testet e shpejta ende funksionojnë ndërsa çdo variant i ri mund të paraqitet. Dhe këtë javë, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), tha se kërkimet paraprake tregojnë se testet zbulojnë omicron, por mund të kenë ndjeshmëri të reduktuar. Agjencia vuri në dukje se është ende duke studiuar se si funksionojnë testet me variantin, i cili u zbulua për herë të parë në fund të nëntorit.
Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, tha se FDA dëshironte të ishte “plotësisht transparente” duke vënë në dukje se ndjeshmëria mund të ulet pak, por se testet mbeten të rëndësishme.
Nëse jeni ekspozuar ndaj një personi që ka rezultuar pozitiv, por nuk keni simptoma, një test i shpejtë – pesë ditë më vonë, mund të jetë një tregues i mirë nëse e keni kapur virusin. Mund të ndihmojë gjithashtu nëse nuk jeni të sigurt nëse hundët ose dhimbjet e fytit janë simptoma të COVID-19. /Gazeta Shneta/


