Agjencia Shëndetësore e Suedisë ka rekomanduar që qytetarët 80 vjeç e më të vjetër të marrin dozën e katërt të vaksinës kundër COVID-19, me qëllim që të mos bie efektiviteti i vaksinave.
Në rekomandimin e bërë të hënën nga kjo agjenci thuhet po ashtu se doza e katërt rekomandohet për të gjithë personat që jetojnë në shtëpi të kujdesit apo ata që marrin shërbime asistence në shtëpi.
“Doza e katërt, duhet të administrohet të paktën katër muaj pas dozës përforcuese”, tha Agjencia Shëndetësore.
Suedia më herët gjatë këtij viti shënoi shifra rekorde të infektimeve, teksa varianti Omicron është përhapur me shpejtësi në mbarë shtetin.
Por, autoritetet suedeze kanë hequr kufizimet, duke argumentuar se simptomat më të buta nga varianti Omicron dhe fushata e imunizimit me doza përforcuese, kanë ulur presionin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor.
“Doza përforcuese rrit mbrojtjen. Prandaj, ne besojmë se personat 80 vjeç e më të vjetër do të përfitojnë nga një dozë e dytë përforcuese”, tha epidemiologu Anders Tegnell.
Agjencia Shëndetësore suedeze tha se dozat përforcuese duhet të jenë të kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna./REL/




