Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka reaguar sot pas kërkesës së deputetëve të grupit parlamentar për Shëndetësi, për shkarkimin e Bordit Drejtues.
Deputetët e pozitës dhe opozitës në grupin parlamentar për Shëndetësi, i kanë bërë thirrje sot Qeverisë që ta shkarkojë Bordin Drejtues të SHSKUK-së, me arsyetimin se në vitin 2021 janë kryer rreth 20 mijë operacione më pak sesa në vitin 2019.
Këtë kërkesë ata poashtu e kanë mbështetur edhe në faktin se listat e pritjes janë rritur.
Por SHSKUK e ka mohuar numrin e operacioneve të paraqitur nga deputetët. Zyra për Media ka dal me një reagim ku thuhet se gjatë vitit 2021 janë realizuar 33,666 operacione, rreth 7 mijë më pak sesa në vitin 2019.
“ShSKUK informon opinionin publik se në nivel të SHSKUK gjatë vitit 2021 janë realizuar gjithsejt 33, 666 operacione, që përbën rreth 7,000 operacione më pask se në vitin 2019 ( në kohën para pandemisë), ndërsa krahasuar me vitin 2020 janë rreth 7,500 operacione më shumë në vitin 2021”, thuhet në reagim.
Sipas SHSKUK-së “Kosova gjatë vitit 2021 është përballur me 2 valët më të ashpra të pandemisë COVID-19; kështu, krahas menaxhimit me sukses të pandemisë COVID-19, ShSKUK ka arritur që gjatë vitit 2021 të realizoj numër të konsideruesëm të intervenimeve kirurgjikale. Poashtu, kryerja e operacioneve të natyrës urgjente, emegjente dhe rastet me sëmundje të rënda (tumorët) nuk është ndërprerë në asnjë fazë të pandemisë”, është thënë në reagim. /Gazeta Shneta/




