Ministri i Shëndetësisë ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Turqi, ku do të takohet me homologun e tij Fahrettin Koca.
Udhëtimi i Latifit për në Turqi është konfirmuar nga kabineti i tij në MSH. Ata kanë thënë se përveç takimit me ministrin Koca, Latifi do të takojë edhe përfaqësues të sektorit dhe institucioneve të ndryshme shëndetësore në Turqi, shkruan Gazeta Shneta.
Nga kabineti është thënë se Latifi për katër ditë do të qëndrojë në Ankara, Stamboll dhe Izmir ku do të ketë takime me autoritete të ndryshme nga sektori i shëndetësisë.
“Është vizita zyrtare gjatë të cilës do të trajtohet bashkëpunimi i deritanishëm në shëndetësi midis dy shteteve, duke e ditur faktin që Turqia është një kontribues në sektorin shëndetësor të Kosovës dhe gjatë vizitës do të trajtohen projektet e ardhshme të bashkëpunimit”, thuhet në përgjigjen e kabinetit.
Kjo është vizita e dytë e Latifit si ministër i Shëndetësisë jashtë vendit, pas asaj në Shqipëri. /Gazeta Shneta/




