Zëvendësministri i Shëndetësisë Arsim Berisha ia ka hedhur përgjegjësinë Qeverisë Kurti për mungesën e Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Në pyetjen e Gazetës Shneta lidhur me mungesën e anëtarëve në Bordin e FSSH-së, Berisha ka thënë se pyetjet duhet t’i adresoni tek institucioni i cili e emëron këtë Bord duke aluduar në Qeverinë e Kosovës.
“Ju duhet ta dini kush e krijon atë Bord. Informacionet i keni të mira, por Bordi emërohet nga Qeveria e Kosovës, jo nga Ministria e Shëndetësisë”, ka deklaruar Berisha.
Ndonëse e ka hequr përgjegjësinë nga vetja, zv.ministri Berisha ka deklaruar se Bordi do të plotësohet shumë shpejt.
Kujtojmë se sipas Ligjit për Sigurime Shëndetësore Bordi Drejtues i FSSH-së përbëhet nga 8 anëtarë: Ministri i Shëndetësisë ose përfaqësuesi i tij, Ministri i Financave ose përfaqësuesi i tij, Ministri i Punës ose përfaqësuesi i tij, Kryetari ose përfaqësuesi i Odës së profesionistëve shëndetësor, Kryetari i Bordit ose përfaqësuesi i SHSKUK-së, Kryesuesi ose përfaqësuesi i drejtorateve të shëndetësisë të Asociacionit të komunave, përfaqësues i Shoqatave të Pacientëve, drejtori i Fondit ose përfaqësues i tij në rolin e Sekretarit dhe pa të drejt vote.
“8. Anëtarët e Bordit Drejtues i emëron Qeveria në bazë të propozimit të institucioneve relevante nga paragrafi 3. i këtij neni”, thuhet në pikën 8 të Nenit 28.
Kujtojmë se me rënien e Qeverisë Hoti, Bordi i FSSH-së ka mbetur me vetëm tre anëtarë të cilët janë paguar me rreth 24 mijë euro pa mbajtur asnjë takim.
Përgjigjen e zv.ministrit Berisha mund ta ndiqni në video nga minuta 46. /Gazeta Shneta/