Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Pandemia uli vaksinimin e rregullt te fëmijët

Lajme 09/05/2022
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Mjekët pediatër në Maqedoninë e Veriut kanë ngritur shqetësime për shkak të shkallës së ulët të vaksinimit të fëmijëve me vaksinat e rregullta, gjegjësisht vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave, shtyrje kjo e cila vjen si rrjedhojë e pandemisë, përkatësisht masave për frenimin e koronavirusit.

“Situata që solli pandemia COVID-19 e bëri të veten. Shkollat nuk punonin, as kopshtet e fëmijëve dhe nuk kishte mundësi si të thirreshin fëmijët për t’i vaksinuar. Njëherësh prindërit kishin frikë nga infeksioni dhe në të njëjtën kohë kishim dhe masat për frenimin e virusit që të mos dilej nga shtëpia. E gjithë kjo ndikoi në uljen e përfshirjes së vaksinimit te fëmijëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bekim Ismaili, kryetar i Shoqatës së Mjekëve Amë.

Për sigurimin e imunitetit kolektiv nevojitet që të vaksinohen më shumë 95 për qind e fëmijëve me vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave.

Por, në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2020 vetëm 63 për qind e fëmijëve e kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine, si dhe 68 për qind e tyre janë vaksinuar me dozën dytë.

Vitin e kaluar, më 2021, shkalla e vaksinimit të fëmijëve me dozën e parë për fruthin dhe rubeolën ka arritur në 70 për qind. Ndërkaq me dozën e dytë janë vaksinuar 80.4 për qind e fëmijëve, që është larg përqindjes së nevojshme për arritjen e imunitetit kolektiv.

Nivel më i ulët i vaksinimit të fëmijëve me vaksinat e rregullta është shënuar në Kumanovë me rrethinë, gjithsej nën 50 për qind, përderisa mbulim më i lartë gjatë vitit 2021 me dozën e parë të MMR-së është shënuar në Prilep me 98 për qind dhe Koçan me 95.5 për qind.

Mjekët bëjnë thirrje që të përshpejtohet kjo dinamikë, në të kundërtën ekziston rrezik real nga një pandemi e re.

Mjekja pediatre Sonja Ralleva, e cila është pjesë e ekipit për vaksinimin e fëmijëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të rritet përfshirja e fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit dhe rubeolës, në të kundërtën, shton ajo, Maqedonia e Veriut rrezikon të përballet me një pandemi të re të sëmundjeve infektive si rrjedhojë e mospërfilljes së kalendarit të detyrueshëm të imunizimit të fëmijëve.

“Kërcënimi, në bazë të numrave është më se real pasi kemi të bëjmë me rënien e shkallës së imunitetit kolektiv me vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave. Është logjike që të pritet pandemi e re nëse nuk e korrigjojmë këtë gjë dhe nuk e ngritim nivelin e imunizimit”, thotë Ralleva.

Për nivelin e ulët të vaksinimit të rregullt të fëmijëve krahas kufizimit të lëvizjes, ka ndikuar dhe mungesa e fushatës për realizimin e së njëjtës, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

“Tendenca jonë është ta arrijmë mbulimin e rekomanduar prej 95 për qind dhe në bashkëpunim me Fondin për Sigurim Shëndetësor dhe qendrat shëndetësore të fillojmë me aktivitete për intensifikimin e punës në terren për thirrjen për vaksinim të fëmijëve, që e kanë lëshuar marrjen e vaksinës. Fushata parashikon, gjithashtu dërgimin e një mesazhi të unifikuar SMS për prindërit që e kanë lëshuar vaksinimin e fëmijëve të tyre, si dhe forcimin e rrjetit rajonal të koordinatorëve nga qendrat e imunizimit për t’i forcuar aktivitetet në terren dhe monitorimin dhe zbulimin aktiv të fëmijëve që nuk e kanë marrë vaksinën në kohë të duhur”, ka deklaruar për mediat ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, me rastin e Javës Botërore të Imunizimit.

Ai njëherësh ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet për sa i përket cilësisë së vaksinave duke theksuar se Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut në vazhdimësi ofron vaksina nga prodhues të njohur botërorë. Këto vaksina detyrimisht i plotësojnë kriteret e rrepta të cilësisë, përkatësisht janë të regjistruara nga MALMED dhe pajisen me certifikatë cilësie të lëshuar nga prodhuesi dhe me certifikatë nga një laborator referues për kontrollin e cilësisë së tyre.

Në këtë drejtim, nga Oda e Mjekëve thonë se duhet mbështetur mjekët ta bëjnë fushatën pasi qytetarët më së shumti kanë besim te ta.

“Duhet të mbështeten mjekët amë që punojnë me fëmijët, të iniciohen fushata në media dhe Ministria e Shëndetësisë të kyçet gjithashtu që një herë t’u sqarohet prindërve se vaksinat janë të sigurta dhe pastaj nevojitet dhe një riorganizim i ri në punktet e shtëpive të shëndetit për një angazhim më dinamik i vaksinimit të fëmijëve që të arrihet hapi i humbur”, thotë Bekim Ismaili nga Shoqata e Mjekëve Amë.

Mjekët pediatër në Maqedoninë e Veriut u kanë bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre si proces shumë i rëndësishëm pasi komplikimet nga fruthi mund të nxisin inflamacion të veshit të mesëm dhe pneumonisë dhe në rastin më të keq virusi i fruthit mund të nxisë dhe meningjitin, i cili mund të çojë në dëmtime të rënda të trurit dhe paaftësi mendore, apo edhe humbjen e jetës.

Ministria e Shëndetësisë nuk planifikon aplikimin e gjobave për prindërit, të cilët nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre. Ndryshe para pandemisë me COVID-19, në kopshtet për fëmijë pranoheshin vetëm ata fëmijë që kishin certifikatë për marrjen e rregullt të të gjitha vaksinave ku bën pjesë edhe ajo kundër fruthit./REL/

Artikulli paraprakNjihuni me rolin e hormonit hCG dhe rëndësinë e tij gjatë shtatzënisë
Artikulli i rradhës Këshilla nga Razije Musa: Pse nuk duhet të bërtisni gjatë lindjes?

Ju sugjerojmë

IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

21/07/2026 Lajme

Peticion me 110 mijë nënshkrime kërkon gjashtë muaj pushim të lehonisë në Zvicër

21/07/2026 Këshilla për shtatzëna

Arratiset një person i ndaluar gjatë trajtimit mjekësor në Suharekë

21/07/2026 Lajme

Time Kadrijaj i bashkohet sfidës së Burim Ramadanit, e kryen narko-testin

21/07/2026 Lajme

U dërgua në gjendje të rëndë në spital pas zhytjes, vdes turistja 30-vjeçare në Vlorë

21/07/2026 Lajme

IHMK: Pasdite mund të ketë stuhi afatshkurtra, rrebeshe dhe mundësi breshëri

21/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.