Gjinekologu Arsim Gashi i cili dyshohet se e ka grushtuar sot profesoreshën Hatixhe Latifi-Pupovci, e kishte sulmuar e kërcënuar më parë edhe Arben Vitinë
Gashi dyshohet se e ka grushtuar sot Latifi-Pupovcin pasi kjo e fundit e kishte rrëzuar nga provimi djalin e tij, shkruan Gazeta Shneta.
Por ky nuk është rasti i vetëm që Gashi sulmon zyrtarët dhe kolegët e tij. Në vitin 2017 ai e kishte sulmuar e kërcënuar me vdekje edhe Arben Vitinë derisa ky i fundit mbante pozitën e drejtorit të shëndetësisë në komunën e Prishtinës.
Rasti kishte ndodhur pasi Vitia e kishte larguar nga puna Gashin në QMF, për shkak të ankesave ndaj tij si dhe një kërcënimi që ai ia kishte bërë ish-drejtorit të QKMF-së Rrezart Halili.
“Së fundmi, më 31 janar, kërcënuesi Arsim Gashi ka ndjekur z. Vitia teksa ky i fundit bashkë me bashkëshorten po merrnin djalin e tyre nga shkolla. Ai e ka ndalur, dhe në prezencë të familjes e ka sharë, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, duke i dhënë afat 24 orë për ta tërhequr vendimit ‘ose përndryshe do të bëhet gjaku deri në gju, dhe do të jesh në gjak me mua, e nëse për ‘dërzhavën’ do me hy në gjak me mu, vazhdo’”, thuhej në njoftimin e komunës. /Gazeta Shneta/




