Qytetarët e fshatit Dumnicë të Komunës së Podujevës tre muaj më parë iu gëzuan faktit që tashmë fshati i tyre kishte një Ambulancë të Mjekësisë Familjare të re dhe nuk detyrohen të udhëtojnë për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytet.
Për ndërtimin e kësaj ambulance Komuna e Podujevës ka paguar dy operatorë ekonomik, MEGRANT ING SH.P.K dhe RISAMONT SH.P.K në një vlerë prej 42,434,59 euro.
Mirëpo jo çdo gjë shkoi për së mbari. Pas finalizimit të punimeve kjo AMF pati mungesë të stafit shëndetësorë, e shërbimet shëndetësore nuk mund të ofroheshin për pacientët e kësaj ane.
Për më tepër se një vit kjo ambulancë funksionoi si zyre civile ndërsa në prill 2022, pas sigurimit të personelit, në këtë ambulancë filluan të ofrohen shërbimet shëndetësore për pacientët e fshatit Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme, Llaushë e Epërme dhe Llaushë e Poshtme.
Por tre muaj pas funksionalizimit të kësaj ambulance reshjet e shiut kanë depërtuar brenda objektit dhe ka dëmtuar një pjesë të infrastrukturës së kësaj ambulance.
Sipas drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenje Sociale, Driton Veliu, drenozat e kulmit të AMF-së kanë qenë të bllokuara dhe për pasojë nuk ka arritur të depërtojë uji sic duhet, por ai thotë se një problem i tillë është zgjidhur dhe se janë duke rregulluar pjesët e dëmtuara.
“Janë blloku më herët ollukët apo drenozat e kulmit ne kemi intervenu menjëherë në hapjen e tyre gjatë kësaj jave, po merremi edhe me dëmtimet insfrastrukturore të AMF-së”, u shpreh ai për Gazetën Shneta.
AMF është funksionale dhe pacientët janë duke pranuar trajtim mjekësore nga personeli shëndetësorë.
Veliu gjithashtu sqaron se afati i garancionit për Operatorët Ekonomik ka kaluar dhe nuk mbajën përgjegjësi më për infrastrukturën në këtë ambulancë./Gazeta Shneta/