Mbledhja e Bordit Drejtues e mbajtur dje në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret.
Bordi Drejtues i SHSKUK-së gjatë ditës së djeshme ka mbajtur një mbledhje ku është shqyrtuar raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit. Në këtë mbledhje, ndonëse jo zyrtarisht, ka qenë e planifikuar të merret edhe një vendim mjaft i rëndësishëm, për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm Valbon Krasniqi, shkruan Gazeta Shneta.
Mbledhja ka filluar me vonesë për shkak të diskutimeve që janë mbajtur në mes të anëtarëve të Bordit dhe Krasniqit. Kësisojë në këtë takim anëtarët e Bordit nuk kanë arritur që të shqyrtojnë deri në fund raportin e auditorit.
Pas mbledhjes Bordi ka dal me një njoftim ku ka deklaruar se do të vazhdojë me shqyrtimin e raportit në mbledhjen e radhës.
“Në mbledhjen e datës 27 korrik 2022, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka shqyrtuar raportin final të Zyrës Kombëtare të Auditimit për SHSKUK, si dhe pika të tjera të përcaktuara më parë me rendin e ditës. Shqyrtimi përmbajtjes së raportit të auditimit do të vazhdojë në mbledhjen e radhës të Bordi Drejtues”, thuhet në njoftim.
Sipas burimeve, në këtë mbledhje Bordi ka pasur të planifikuar shqyrtimin e raportit në tërësi si dhe marrjen e vendimit për shkarkimin e Krasniqit pasi raporti i Auditorit Kombëtar është cilësuar si i kualifikuar për SHSKUK-në për shkak të gjetjes së disa parregullësive në shpenzimet e buxhetit dhe menaxhimin e kontratave. /Gazeta Shneta/