Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në një takim të përbashkët ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi dhe Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar.
Në këtë takim sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, janë diskutuar gjashtë tema që lidhet me problemet e shëndetësisë në vend. Sipas njoftimit, Kurti është zotuar se do të merret personalisht me problemet e shëndetësisë.
“1) Ndarja dhe bashkëpunimi publiko-privat në sektorin e shëndetësisë.
2) Sistemi Informativ Shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore.
3) Reforma e sistemit shëndetësor, në veçanti e ShSKUK-së, për fuqizimin e QKUK-së, të spitaleve rajonale dhe kujdesit parësor shëndetësor.
4) Raporti i sektorit publik të shëndetësisë, si shërbim e kujdes profesional me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit, si vatër e kërkimit, hulumtimit dhe studimit shkencor.
5) Nevoja për Spitalin rajonal të Prishtinës.
6) Raporti i MSh-së dhe ShSKUK-së me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
“Kryeministri shprehu zotimin e tij për mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe për angazhim të shtuar për këtë fushë tejet të rëndësishme për shëndetin, jetën dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së. /Gazeta Shneta/





