Ofrimi i shërbimeve shëndetësore në Spitale Rajonale në disa raste është i kufizuar për shkak të infrastrukturës, mungesës së aparaturave e personelit – një gjendje e tillë është duke kufizuar spitalet në funksionalizimin e Laboratorit Patologjik.
Nga shtatë Spitalet Publike në vend – vetëm ai në Prizren, kryen shërbime bioptike përmes Laboratorik Patologjik, ndërsa disa nga spitalet rajonale nuk e kanë të funksionalizuar fare Laboratorin Patologjik apo ofrojnë shërbime gjysmake.
“Kemi disa biopsi, që ne i referojmë për konsultim- gjegjësisht për të bërë analizat imunohistokimike në Institutin e Patologjisë – QKUK, në Prishtinë”, thotë drejtoresha e Spitalit Publik në Prizren, Narqize Hoxhaj për Gazetën Shneta.
Gjashtë raste të tilla janë referuar gjatë këtij viti për në Institutin Patologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Brenda 30 ditëve në këtë laborator kryen deri në 100 biopsi – përmes së cilave diagnostifikohet sëmundja e pacientit.
Laboratori Patologjik në këtë spital aktualisht ka tre specialistë të Patologjisë dhe dy laborantë, “kemi mungesë për një laborant”, thotë drejtoresha.
Me mungesë të personelit është duke u ballafaquar Laboratori Patologjik në Spitalin Regjional në Mitrovicë. Laboratori aktualisht ka vetëm një patolog.
Drejtoresha e spitalit, Luljeta Zhubi, sqaron se Laboratori Patologjik aktual nuk është i mirfilltë, “jemi të kyçur në një projekt madhor përmesë ShSKUK dhe presim të pajisemi me laborator të mirfilltë”.
Zhubi, sqaron tutje, se në laborator biopsia apo materiali, i marrur nga pacienti përgatitet si preparat në spital dhe dërgohet për në Institutin Patologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për procedurat tjera.
“Gjatë muajit përafërsisht 60 analiza bëhen. Mungon aparatura më e përsosur”, konfirmon ajo.
Materiali për biopsi dërgohet në Institutin Patologjik edhe nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë. Në Laboratorin Patologjik në këtë spital kryhen shërbimet të PAP testit dhe citologjike.
“Biposit procedohen në Institutin e Patologjisë në QKUK për shkak të mungesës së aparaturës të cilën e kemi kërkuar disa here”, theksohet në përgjigjen e spitalit të Pejës në një përgjigje për Gazetën Shneta
Ndryshe nga tre spitalet paraprake, në tre qytetet tjera Laboratori Patologjik nuk është fare funksional.
Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj, Gjilan, Vushtrri e Gjakovë janë largë mundësisë për të ofruar shërbime patologjike për pacientët e kësaj ane.
“Në Spitalin e Ferizajt nuk ka pas asnjëherë Laborator të Patologjisë. Para disa muajve ka qenë një iniciativë prej ShSKUK-së për të funksionalizuar Laboratorin e Patologjisë në Spitale Rajonale dhe kriteri i parë që duhej të plotësohej, sipas tyre, është hapësira në spital”, pohon UD. drejtori i Spitalit Regjional në Ferizaj, Isa Berisha për Gazetën Shneta.
Nga Spitali Publik në Vushtrri potencojnë se përvec hapësirës e kushteve të tjera, kanë mungesë edhe të patologëve.
Pacientët e kësaj ane të cilët kanë nevojë për shërbime patologjike janë të detyruar të udhëtojnë për në Institutin e Patologjisë në QKUK.
Që spitalet nuk i plotësojnë kriteret për laborator e konfirmon drejtoresha e Institutit Patologjikë, Merita Hashani.
Muaj më parë përmes një iniciative të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, është vendosur një ekip për të parë nga afër spitalet rajonale dhe për të analizuar nëse këto të fundit i plotësojnë kriteret për Laborator Patologjik.
Hashani thotë se spitalet duhet të pajisen me aparatura në mënyrë që të fillohet puna në laboratore.
“Hapësira është e mjaftueshme, po ashtu numri i patologëve të nevojshëm, por duhen pajisjet dhe instalimi i laboratorit për fillimin e punës në këto dy spitale, Pejë dhe Mitrovicë. Spitali i Gjilanit është në përfundim të renovimit dhe pajisjes me aparturat e nevojshme për fillimin e punës”, bënë të ditur ajo, duke uruar që puna në laboratorin e Spitalit të Gjilanit të filloj sa më shpejtë.
‘Instituti streha e vetme për shërbimet patologjike’
Instituti Patologjik i cili gjendet në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës më saktësisht në ish- objektin e Fakultetit të Mjekësisë është i vetmi institut në të cilin kryhen të gjitha shërbimet bioptike.
Edhe pse është institucioni i vetëm ku pacientët dërgojnë mostrat e tyre për analiza, ky institute është duke u ballafaquar me mungesë të materialeve.
Për rreth një muaj patologjia ka mungesë të materialeve për Her2 dhe Ki67 – lloje të analizave për biopsi përmes së cilave bëhet diagnostifikimi i sëmundjes.
Merita Hashani, e cila drejton këtë institut thekson se gjatë javës së ardhshme pritet të bëhet furnizimi me materialet e nevojshme.
“Kërkesat për furnizim me reagensa procedohen në kohën e duhur duke parë është kohën e liferimit nga Operatori Ekonomik. Sipas OE furnizimi me reagensa pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme”, thotë ajo në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Mungesa e materialeve, pacientën F.G e ka detyruar të dërgoj mostrën në njërin nga spitalet private.
Ajo thotë se deri tani për dy biopsit që është detyruar t’i bëjë në Laboratorët Private në Prishtinë ka paguar mbi 300 euro.
“Biopsinë e parë janë detyruar të dërgoj në privat për shkak të pritjes së gjatë në Patologji. Tre deri në gjashtë javë më kanë thënë me pritë. Rezultatin e biopsisë më është dashtë me marrë më shpejtë për shkak të ndërhyrjes që më është dasht të bëjë. Pas ndrëhyrjes më është dasht përsëri të dërgoj biopsin për testim, kësaj radhe nuk ka qenë urgjente por për shkak të mungesës së materialeve në Patologji e kam dërguar në privat. Deri tash kam paguar mbi 300 euro vetëm për biopsitë që është dashur t’i bëjë”, rrëfen ajo për Gazetën Shneta.
Sa i përketë listës së pritjes, Hashani thotë se nuk kanë listë të pritjes, por për shkak të procedurave duhet të presin disa ditë apo javë, varësisht nga diagnoza e pacientëve.
“Në shumicën e rasteve procesimin i tyre bëhet në të njejtën ditë, përjashtimisht mostrat të cilat kanë nevojë për një kohë më të gjatë për fiksimin e tyre apo në rastet kur mostra është kockë dhe paraprakisht t’i nënshtrohet procedurës së dekalcifikimit”, sqaron drejtoresha.
“Përmiresimi i kushteve të punës, profilizimi i stafit, trajnime dhe aplikimi i analizave molekulare ndikon në ngritjen e performancës dhe zvogëlon kohën e pritjes”, sqaron Hashani, ndërsa thekson se kanë mungesë të teknike – laborantëve të cilët bëjnë përgatitje teknike të mostrave.
Brenda 30 ditëve në Patologji bëhën 800 deri në 1000 biopsi.
‘Pritja e rezultateve histopatologjike frenon ofrimin e shërbimeve në Onkologji’
Klinika Onkologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është e vetmja klinika që ofron shërbime shëndetësore për pacientët e diagnostifikuar me kancer.
Shërbimet Patologjike në Institutin e Patologjisë ndikojnë direkt edhe në ofrimin e shërbimeve në Onkologji, për pacientët të cilët përmes biopsisë diagnostifikohen me kancer.
UD. drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, thotë se marrja e rezultatit të histopatologjisë në kohë më të shpejtë është e favorshme për profesionistët shëndetësore.
Sipas tij, mundësi ende më e mirë do të ishte nëse shërbimet e bipsisë do të mund të bëheshin edhe në Spitalet Rajonale pasi që një gjë e tillë do të shkarkonte Institutin e Patologjisë në këtë shërbim.
“Mundësia që edhe spitalet rajonale me interpretu biopsitë është shumë e mirëseardhur sepse e shkarkon qendrën dhe ju mundëson njëkohësisht pacientëve nje qasje më të lehte dhe me kosto më të ulët e kjo do të reflektonte pozitivisht në efikasitetin e punës dhe menaxhimit tonë të pacientëve me sëmundje malinje”, shprehet Bislimi.
Klinika e Onkologjise posedon 45 karrike për aplikimin e kimioterapise në dy salla te ndara, pastaj 6 shtretër në hapësirën e transfusionit dhe 12 shtretër në repart për pacientë të hospitalizuar.
Në Onkologji janë 20 onkolog të ndarë në dy shërbime, kimioterapi dhe raditerapi.
UD. drejtori thotë se kanë mungesë të stafit infermieror “që ndikon shumë në punën tonë për shkak numrit të madh të pacientëve që marin shërbime në planin ditor, rreth 250 raste në kimio dhe 90 në rreze”.
Për tetë muaj në Onkologji janë kryer 1009 raste të pacientëve. /Gazeta Shneta/