Instituti Patologjik është furnizuar me material për testimin e mostrave bioptike Her2 dhe Ki67.
Liferimi me material Her2 dhe Ki67 është bërë pas rreth një muaji mungesë.
“Ju informoj se reagensat për Her2 dhe Ki67 janë pranuar sot”, tha shkurtimisht, drejtoresha e Institutit Patologjik, Merita Hashani, për Gazetën Shneta.
Mungesa e materialeve, pacientën F.G e ka detyruar të dërgoj mostrën në njërin nga spitalet private.
Ajo thotë se deri tani për dy biopsit që është detyruar t’i bëjë në Laboratorët Private në Prishtinë ka paguar mbi 300 euro.
“Biopsinë e parë janë detyruar të dërgoj në privat për shkak të pritjes së gjatë në Patologji. Tre deri në gjashtë javë më kanë thënë me pritë. Rezultatin e biopsisë më është dashtë me marrë më shpejtë për shkak të ndërhyrjes që më është dasht të bëjë. Pas ndrëhyrjes më është dasht përsëri të dërgoj biopsin për testim, kësaj radhe nuk ka qenë urgjente por për shkak të mungesës së materialeve në Patologji e kam dërguar në privat. Deri tash kam paguar mbi 300 euro vetëm për biopsitë që është dashur t’i bëjë”, rrëfen ajo për Gazetën Shneta.
Sa i përketë listës së pritjes, Hashani thotë se nuk kanë listë të pritjes, por për shkak të procedurave duhet të presin disa ditë apo javë, varësisht nga diagnoza e pacientëve.
“Në shumicën e rasteve procesimin i tyre bëhet në të njejtën ditë, përjashtimisht mostrat të cilat kanë nevojë për një kohë më të gjatë për fiksimin e tyre apo në rastet kur mostra është kockë dhe paraprakisht t’i nënshtrohet procedurës së dekalcifikimit”, sqaron drejtoresha.
“Përmiresimi i kushteve të punës, profilizimi i stafit, trajnime dhe aplikimi i analizave molekulare ndikon në ngritjen e performancës dhe zvogëlon kohën e pritjes”, sqaron Hashani, ndërsa thekson se kanë mungesë të teknike – laborantëve të cilët bëjnë përgatitje teknike të mostrave.
Brenda 30 ditëve në Patologji bëhën 800 deri në 1000 biopsi./Gazeta Shneta/
Spitalet Rajonale nuk përmbushin kriteret për Laborator Patologjik