Ministria e Shëndetësisë informon se nga nesër (e mërkurë, 19.10) fillon vaksinimi falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara të popullsisë në Qendrat e Shëndetit Publik në të gjithë vendin dhe njësitë e tyre rajonale nëpër qytete.
Qytetarët e interesuar nga grupet e rrezikut mund të regjistrohen përmes ueb-faqes vakcinacij.mk, ndërsa deri më tani janë regjistruar mbi 27 mijë qytetarë.
“Gjatë ditës së djeshme nëpërmjet ‘Termini im’ janë dërguar mbi 12,000 ftesa SMS, duke informuar për terminin dhe pikën e vaksinimit. Kujtojmë se vaksinimi falas kundër gripit sezonal është fakultativ, i destinuar për të moshuarit mbi 65 vjeç, persona me sëmundje kronike, punonjës shëndetësorë, gra shtatzëna, fëmijë nga 6 muaj deri në 5 vjeç”.
“Ministria u dërgoi letër edhe mjekëve të familjes që t’i ndihmojnë qytetarët e interesuar për t’u regjistruar në sistemin e vaksinimit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.




