Klinika e Onkologjisë është e vetmja klinikë në nivel vendi për trajtimin e sëmundjeve malinje apo kancerit.
Në këtë klinikë janë vetëm dy salla për kimioterapi – të pamjaftueshme në krahasim me numerin e lartë të pacientëve të cilët marrin terapinë brenda ditës. Të dy sallat kanë 45 shtretër në total ndërsa brenda një ditë marrin terapi rreth 200 pacientë.
Gjatë ditës së premte 170 pacientë kanë marrë kimioterapi në këto dy salla.
Mungesa e hapësirës në një anë e fluksi i lartë i pacientëve në anën tjetër ka detyruar personelin shëndetësor që brenda njërës nga sallat të vendos disa ulëse dhe pacientët të fillojnë të marrin terapinë ulur në karrige dhe pasi të lëshohet ndonjë vend të zhvendosen në shtretër.
“Mungesa e hapësirave dhe numri i shtretërve i vogël për shkak tyre, në raport me numrin e madh të pacientëve që marrin shërbime në klinikën tonë në planin ditor, rreth 200 pacientë, na shkakton vështirësi në mënaxhimin e pacientëve”, sqaron UD. drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi për Gazetën Shneta.
Specialisti i Onkologjisë thotë se mundohen të bëjnë më të mirën për pacientët por mungesa e hapësirës ndonjëherë e pamundëson një gjë të tillë.
“Njëkohësisht jemi falënderues stafit infermieror për menaxhimin e këtyre pacientëve me këto rrethana”, u shpreh drejtori.
Klinika e Onkologjisë posedon 45 karrike për aplikimin e kimioterapise në dy salla te ndara, pastaj 6 shtretër në hapësirën e transfusionit dhe 12 shtretër në repart për pacientë të hospitalizuar.
Në Onkologji janë 20 onkologë të ndarë në dy shërbime, kimioterapi dhe radioterapi.
Përveç mungesës së personelit e hapësirës, klinika në vazhdimësi ka mungesë të barnave për pacientët me kancer. Pacientët detyrohen të blejnë barna me çmim shumë të lartë. /Gazeta Shneta/
Onkologjia në kolaps, SHSKUK ka alokuar buxhet por klinika vazhdon të mbetet pa barna




