Avokati Armend Shkoza përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka deklaruar se Prokuroria i ka vënë në lajthitje dëshmitarët në rastin “Stenta 2”.
Shkoza ka thënë se dëshmitarët përmes ftesës së Prokurorisë kanë hamendësuar se do të marrin kompensim për intervenimet që i kanë kryer, ndërsa deklaratat e tyre janë 99 për qind në favor të mjekëve, transmeton Gazeta Shneta.
“Në këtë çështje penale, Prokuroria ka manipuluar me dëshmitarë duke i vënë në lajthim lidhur me objektin e dëshmisë së tyre. Dëshmitarët, qytetarë të ndershëm e të thjeshtë, janë hamendësuar se përmes ftesës publike të Prokurorisë do të realizojnë kërkesat e tyre pasurore për të cilat kanë shprehur se do të kompensoheshin nga Ministria e Shëndetësisë, janë përfshirë si dëshmitarë kundër kardiologëve më eminent që i ka Kosova”, ka deklaruar Shkoza.
Postimi i plotë i avokatit Shkoza:
Rasti “Stenta 2” është ndër rastet më tipike kur niset një procedurë penale alla fusherajski.
Në këtë çështje penale, Prokuroria ka manipuluar me dëshmitarë duke i vënë në lajthim lidhur me objektin e dëshmisë së tyre. Dëshmitarët, qytetarë të ndershëm e të thjeshtë, janë hamendësuar se përmes ftesës publike të Prokurorisë do të realizojnë kërkesat e tyre pasurore për të cilat kanë shprehur se do të kompensoheshin nga Ministria e Shëndetësisë, janë përfshirë si dëshmitarë kundër kardiologëve më eminent që i ka Kosova.
Çka ka ndodhë me këta dëshmitarë? 99% të tyre janë dëshmitarë në favor të mjekëve që janë proceduar në këtë çështje. Tani i kemi shpresat tek gjyqësori që do t’i lirojë nga një akuzë boshe dhe e turpshme në kuptim profesional.